Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka deklaruar këtë të hënë nga salla e Kuvendit se Shqipëria konsiderohet si një zonë me risk të ulët infeksioni sipas vlerësimeve ndërkombëtare.
“E krahasuar dhe me vende e rajonit dhe Europës jo vetëm që kemi dalë nga zona e riskut të moderuar, por aktualisht sipas të gjitha vlerësimeve ndërkombëtare Shqipëria konsiderohet si një zonë me risk të ulët të infeksionit shkaktuar nga Sars-Cov-2. Kurba e vaksinimit është në një rritje konstante duke siguruar më shumë mbrojtje dhe siguri për qytetarët. Programi i vaksinimit do të vijojë dhe objektivi ynë mbetet derisa çdo qytetar të ketë mundësi të vaksinohet dhe të mbrohet”, tha Manastirliu.
Ministrja u shpreh se ditën e sotme do të vijnë 11700 doza vaksine Pfizer dhe së bashku me sasinë e dhuruar nga Greqia, numri i vaksinave në Shqipëri ka shkuar në 967 mijë.
“Sot presim sërish 11700 doza të vaksinës Pfizer dhe me këtë sasi ne dhe së bashku me një sasi të mbërritur sot si mbështetje e qeverisë së Greqisë arrijmë në 967 mijë vaksina të mbërritura deri tani në vendin tonë. Presim që së shpejti të kemi lëvrimin e sasisë së radhës të vaksinës Coronavac, pra të Sinovac”.