Aktualitet Manastirliu: Shumë shpejt ezaurohen kapacitetet e dy spitaleve Covid

Manastirliu: Shumë shpejt ezaurohen kapacitetet e dy spitaleve Covid

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, deklaroi se rritja e numrit të rasteve të reja me Covid-19 në vendin tonë po mbingarkon strukturat spitalore.

“Në të dy spitalet e dedikuara për Covid, kemi mbi 120 të shtruar me këtë diagnozë. Shumë shpejt do të ezaurojmë kapacitetet e të dy spitaleve dhe do të shtrihemi në spitalin e tretë dhe të katërt. Ne do të vijojmë të forcojmë kapacitetet spitalore, por më mirë të forcojmë kapacitetet apo të marrim masa secili prej nesh? Duhet të mësohemi me normalitetin e ri. Ashtu siç ishim nuk do të jemi, derisa të dalë vaksina”, tha Manastirliu.

Ministrja u tërhoqi vëmendjen edhe disa deputetëve që nuk po e mbanin maskën në sallën e Kuvendit: “Kolegë të nderuar, disa nga ju maskën nuk po e mbani. Nëse nuk e mbani ju, nuk jeni shembulli më i mirë për t’u marrë. Nuk duhet t’ju mbush unë mendjen, maska është masë e propozuar nga ekspertët”.