Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë ditës së sotme ka inspektuar kushtet e ruajtjes së vaksinave në Institutin e Shëndetit Publik, nga ku u shpreh se nga dita e diel do të nisë vaksinimi masiv i popullsisë.
“Nga dita e diel ne do të vijojmë vaksinimin masiv të grupmoshave +70 vjeç, duke organizuar gjithmonë punën me mjekët e familjes dhe qendrat shëndetësore kudo në vend. Ndërkohë që nga sot do të fillojë shpërndarja në të gjithë vendin”, tha Manastirliu.
Drejtoresha e ISHP, prof. Albana Fico bëri me dije se të gjitha llojet e vaksinave ruhen në kushte optimale, pasi janë marrë masat për fuqizimin e kapaciteteve të zinxhirit ftohës.
“Kemi vërejtur që nuk ka pasur asnjë problematikë në transportin e vaksinës deri në momentin e shkarkimit. Siç erdhën dje menjëherë u bë procedura. Kjo është një praktikë e jona e zakonshme, por në këtë rast kemi verifikuar çdo dozë që është në atë frigorifer. Ka ardhur në kushte optimale dhe kjo është shumë e rëndësishme. Siç e shikoni ajo që ne vlerësuam në fillim, kapacitetet e zinxhirit të ftohtë, ne e jetësuam tani dhe kemi të gjitha mundësitë që çdo lloj vaksine ta ruajmë në kushtet optimale”, tha Fico.
Duke folur për sigurinë e vaksinave të sapoardhura, Erida Nelaj, Përgjegjëse e Programit Kombëtar të Vaksinimit në ISHP tha se ato janë të sigurta dhe efektive.
“Është një vaksinë e sigurt. Është një vaksinë që ka marrë autorizimin e përdorimit në vendin e vet, gjithashtu dhe në 22 vende të tjera. Janë me miliona doza të administruara dhe nuk ka pasur asnjë lloj efekti anësor. Është shumë e ngjashme me vaksinat e gripit. Pra si praktikë, si teknologji ndryshon nga AstraZeneca dhe Pfizer, por është e ngjashme me atë të gripit, që është një teknologji e mirënjohur tashmë. Kështu që prandaj dhe kjo ka lehtësira. Kjo ka vaksinë ka aplikuar dhe te Organizata Botërore e Shëndetësisë për të marrë parakualifikimin”, tha Nelaj.