Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu gjatë interpelancës në Kuvend, për situatën e epidemisë u bëri thirrje qytetarëve që mos shkojnë me vonesë në qendrat spitalore.
“Më lejoni këtu të them që t’i drejtohem me zemër çdo qytetari: Mos ejani vonë në spitale, mos dëgjoni ata që dalin e thonë që mjekët nuk shërbejnë, që nuk ka shtretër. Nuk e bëjnë për ju, e bëjnë për hallin e pushtetit të tyre, kanë hallet e bizneseve të tyre, si atëherë kur ju dha mundësia dhe e lanë shëndetësinë në gërmadhë”, tha Manastirliu.
Në fjalën e saj Manastirliu theksoi se janë forcuar kapacitet testuese dhe se brenda dhjetorit mbërrijnë testet e shpejta.
“Jemi të vetëdijshëm që gjithmonë ka vend për përmirësim dhe atë po bëjmë çdo ditë. Duke rritur kapacitetet me përfshirjen e testeve të shpejta të antigenit që i presim brenda muajit dhjetor, synojmë kufizimin e mëtejshëm të përhapjes së virusit”, tha Manastirliu.
Duke theksuar se asnjë qytetar i prekur nga Covid nuk do të lihet pa mbështetje, Manastirliu tha se paketa prej 1.2 miliard lekësh e miratuar nga qeveria do të rimbursojë barnat e trajtimit në mënyrë ambulatore të pacientëve të prekur nga Covid-19.
“Filluam rimbursimin e paketës së barnave të trajtimit ambulator në banesë për qytetarët që kanë nevojë për terapi mjekimi duke mbështetur kështu çdo familje, duke reduktuar kostot nga xhepi për terapitë e mjekimit, duke disiplinuar terapitë nëpërmjet vëmendjes së posaçme për çdo qytetar nga mjekët e familjes. Për 2021, buxheti vetëm për rimbursimin e terapive me barnat për ambulatorët do të jetë 1.2 miliard lekë”, u shpreh ministrja.
Ndër masat e ndërmarra nga qeveria për përballimin e epidemisë, Ministrja e Shëndetësisë tha: “Qeveria shqiptare është angazhuar menjëherë në financimin nëpërmjet aleancës Gavi dhe instrumentit Covax për vaksinën anti-covid. 3.9 milion euro janë parapaguar dhe vijojmë punën për të siguruar vaksinën për qytetarët tani. Fillimisht me grupet e riskuara dhe kjo vaksinë do të jetë falas”.