Sali Berisha reagoi nga banesa e tij lidhur me vendimin e Kuvendit për të mos miratuar mocionin për papajtueshmëri mandati të deputetes Olta Xhaçka. Kërkesa ishte bërë nga deputetët e opozitës, të cilët pretendojnë se ajo nuk mund të vijojë të jetë deputete pasi bashkëshorti i saj është shpallur investitor strategjik.
“De facto asgjësoi Gjykatën Kushtetuese, pa të cilën Kushtetuta shndërrohet në një letër pa vlerë. Me këtë akt, Edi Rama dëshmoi se në duart e tij janë sot të përqendruara të gjitha pushtetet. Se ai nuk kontrollon më vetëm “Skapin”, Gjykatën e Lartë, Gjykatën e Apelit, por edhe në një rast të rrallë, kur nuk ka të sigurt vendimin që do, krijoi Komisionin Xhafaj për të shumëzuar me zero Gjykatën Kushtetuese”, tha Berisha.
Në momentin e votimit, 25 deputetë demokratë votuan pro, ndërsa 9 socialistë kundër. 65 të tjerë shtypen butonin e abstenimit duke bërë që projektvendimi të mos merrte votat e nevojshme për miratim.
Me këtë votim të sotëm, Kuvendi për herë të dytë radhazi refuzoi zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila dy herë ishte shprehur me vendim duke nënvizuar se parlamenti është i detyruar të miratoje mocionin e 1/10 së deputetëve.
Sipas votimit, socialistët e shprehur me votë kundër janë Damian Gjiknuri, Bledar Çuçi, Jyrgis Çyrbja, Anduel Tahiraj, Paulin Sterkaj, Petro Koçi, Shkelqim Bullari, Bujar Çela dhe Klodiana Spahiu. Vetë Olta Xhaçka ishte në sallë gjatë momentit të votimit, por nuk mori pjesë në të.
Kuvendi ka vendosur të kërkojë opinionin e Komisionit të Venecias këtë çështje. “Thirrja ime për Komisionin e respektuar të Venecias është të hedhë poshtë me përçmim këtë përpjekje kurth për të justifikuar puçin konstitucional që Edi Rama dhe Komisioni Xhafaj realizuan mbrëmë gjatë Gjykatës Kushtetuese”, tha Berisha.