Politika Mandati i Olta Xhaçkës, Spiropali urdhëron mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit me...

Mandati i Olta Xhaçkës, Spiropali urdhëron mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit me 27 gusht

Vera e këtij viti nuk do të jetë plotësisht pushim as për Parlamentin, pasi kryetarja e re Elisa Spiropali ka dhënë urdhër që me 27 gusht të mblidhet Këshilli i Legjislacionit për të shqyrtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës.

Ky vendim erdhi një ditë pasi grupi parlamentar demokrat kërkoi që Parlamenti të mblidhet në një sesion të jashtëzakonshëm për mandatin e deputetes socialiste. Në fillim të korrikut Kushtetuesja i kërkoi Parlamentit që ta dërgojë sa më shpejt mandatin e deputetes socialiste përpara Gjykatës, që të jenë 9 gjyqtarët që të vendosin nëse mandati i saj është në papajtueshmëri me kushtetutën apo jo.

Deputetët e mazhorancës janë shprehur se përpara se t’i binden Gjykatës do t’i drejtohen Komisionit të Venecias për një opinion nëse Kushtetuesja mund t’i detyrojë deputetë që të votojnë pro dërgimit të kësaj çështje në Gjykatë.

Urdhrin e Spiropalit, Gazment Bardhi e ka cilësuar antikushtetues, pasi sipas tij Kryetarja e Kuvendit ka detyrimin kushtetues dhe ligjor të thërrasë sesionin te jashtëzakonshëm të Kuvendit brenda 3 ditëve nga paraqitja e kërkesës së 1/5 së deputetëve, për të zbatuar pa vonesa vendimin e Gjykatës Kushtetuese.