Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj thotë se mos zbatimi i vendimit të kësaj gjykate për mandatin e ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, është një situatë e pazakontë.
“Është vërtetë një situatë e pazakontë dhe e pamundur për të ndodhur në një shtet demokratik. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen dhe zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese përbën në fakt zbatimin e vetë Kushtetutës. Fjalët janë të tepërta për të dhenë një mesazh më tepër. Çdo vendim duhet të zbatohet, nuk ka një rrugë tjetër, nuk ka një mekanizëm tjetër dhe arsyeja pse nuk ka një mekanizëm tjetër është sepse është e pamundur të imagjinohet që të mos zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Institucionet të cilat janë të ngarkuara për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të sillen në mënyrë kushtetuese”, tha Zaçaj në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Gjithashtu ajo pohoi se gjatë takimeve me zyrtarët e lartë në Washington D.C., u trajtuan çështjet më të rëndësishme dhe aktuale të gjyqësorit dhe drejtësisë shqiptare dhe u fol veçanërisht për rëndësinë që Gjykata Kushtetuese ka në zgjidhjen e konfliktit të kompetencave midis organeve shtetërore, në interpretimin përfundimtar të Kushtetutës dhe garantimin e respektimit të të drejtave dhe lirive themelore.
E pyetur nga gazetarja e Zërit të Amerikës në lidhje me kritikat e opozitës për vendimmarrjen e çështjes së marrëveshjes për emigrantët me Italinë, Kryetarja e Kushtetueses u shpreh se palët e pakënaqura kanë të drejtën e tyre të kriticizmit si e drejtë e lirisë së shprehjes, çka i mundëson të gjithë aktorët të japin mendimin e tyre.
Ajo foli dhe për votën e emigrantëve, ku theksoi se “gjykata flet me vendime, duhet të zbatohen, nuk është lënë në dorë të politikës të vendosi se si dhe në ç’mënyrë duhet të të zbatojnë vendimet, ato janë të vetëzbatueshme”.
“Çdo vendim që nuk përkon me atë të Gjykatës Kushtetuese nuk janë vendimet apo veprimet e duhura. Në çdo vendim të Gjykatës ka palë të pakënaqura. Gjykata vepron në mënyrë hermetike. Gjyqtarët janë të pavarur, nuk veprojnë nën presion”.