Deputetja Rudina Hajdari ka folur sot në “A show” në News24 për vendimin e saj që e rreshtoi kundër grupit parlamentar të PD dhe e ktheu madje në ‘armike’ të opozitës dhe ‘mike’ të maxhorancës. Ajo tha se ishte një vendim shumë i vështirë por se e ka bërë në interes të vendit.
“Mu desh kohë ta merrja. Arsyetova me veten se ku do më çonte ky vendim, çfarë kosto do kishte për vendin. nuk e mendova në asnjë moment se çfarë kostoje do kishte për mua. Më thanë që duhet të pozicionohesh mirë në PD nëse do një karrierë të gjatë politike dhe unë hezitova e thashë nuk është kjo arsyeja përse jam këtu”, u shpreh deputetja Hajdari.
E pyetur nga Krasta nëse ky vendim ka ardhur për shkak të një frike për nënën e saj Fatmir Hajdari që mund të rrezikonte deryrën si gjyqtare në kuadër të vettingut, deputetja tha se nëna e saj është gjyqtare para se ajo të hynte në politikë dhe ka jetën e saj.
“Nuk më ka shkuar fare në mend sepse është komplet jashtë asaj që unë dua për të kontribuuar në Shqipëri. Mamaja ime ka jetën e saj, vettingu, reforma në drejtësi ka marrë rrugën e saj. Nuk ndikoj dot në këtë proces. Mamaja ime ka qenë gjyqtare para se unë të hyja në politikë”, tha ajo më tej, duke pohuar se është edhe nënshtetase amerikane.
Në lidhje me një rekomandim të mundshëm nga ambasada amerikane për arsyet e vendimit për të mos djegur mandatin, Rudina Hajdari tha se është konsultuar me familjen dhe partnerët ndërkombëtar.
“Ishte një vendim shumë i vështirë. Nuk është personal por ka të bëjë me interesin e Shqipërisë. Po patjetër që e mora vetë. Patjetër që jam konsultuar. Jam konsultuar me familjen time, nuk është e thënë se kanë qenë pro. Me njerëz të afërt e partnerë ndërkombëtarë”, tha ajo.
Për sa i përket reagimeve në PD, Rudina Hajdari tha se kanë qenë të shumta si pozitive ashtu edhe kritike.
“Reagimet kanë qenë të shumë por dhe pritshmëritë kanë qenë shumë të larta. Kanë qenë pozitive dhe dua të falënderoj ata njerëz që më kanë mbështetur, uroj të mos u zhgënjej por ka pasur dhe kritika padyshim.
Unë dhe PD kemi një histori shumë të hershme. Unë kam lindur me dy gishta lart, kam lindur me fanellat e PD, kam lindur nëpër mitingje. Kam lindur duke kërkuar që Shqipëria të jetë si gjithë Europa. PD ka shkruar historinë”, deklaroi deputetja Hajdari.