Jo vetëm Real Madrid dhe jeta private, në librin e tij “Në mënyrën time”, Luka Modric ka rrëfyer edhe shumë anekdota në lidhje me kombëtaren kroate.
Mesfushori i madrilenëve dhe Kroacisë është kthyer flasë për një ndeshje kundër Italisë. Ka qenë Euro 2012 dhe Kroacia është përballur në grup pikërisht me “axurrët”.
Në atë ndeshje, Mario Mandzukic kishte një ëndërr: t’i shënonte gol atij që më pas do të bëhej shoku i tij i skuadrës tek Juventus-i, Gianluigi Buffon, numri një i kombëtares italiane në atë kohë.
“Rezultati ishte vendimtar në ndeshjen e dytë kundër axurrëve”, ka rrëfyer Modric. “Pjesa më e madhe e taktikës së tyre bazohej te loja e një mesfushori të jashtëzakonshëm si Andrea Pirlo. Shumë më krahasonin me të, gjë që më pëlqente: e konsideroja si një kompliment të madh”.
“Trajneri na tha që të bënim të mundur që ai të prekte sa më pak topa. Edhe pse u munduam, Pirlo na ndëshkoi me një gol fenomenal në minutën e 39-të”.
Por gjërat ndryshuan në pjesën e dytë dhe Modric ka thënë: “Nuk u dorëzuam. Në pjesën e dytë shënuam me Mario Mandzukic. Ishte minuta e 72-të. Para ndeshjes kishte thënë se ëndërronte t’i shënonte Buffon-it. Portieri legjendar ishte një nga idhujt e tij”.
Një gol që realizoi ëndrrën e sulmuesit dhe që e ndihmoi të transferohej te Bayern Munich. Pas eksperiencës në Gjermani, ku Mario konfirmoi se ishte një lider i fortë përveçse një sulmues shumë i mirë, Juventus e mori në Torino ku u bë shok skuadre me Buffon.