Sport Mane shkon në Katar edhe i dëmtuar, Senegali shpreson te mrekullitë e...

Mane shkon në Katar edhe i dëmtuar, Senegali shpreson te mrekullitë e shtriganëve

Sadio Mane do të jetë pjesë e skuadrës së Senegalit në Botërorin e Katarit, edhe pse është i dëmtuar. Trajneri Aliou Cise ka vendosur ta përfshijë në listën e 26 lojtarëve të grumbulluar për Kupën e Botës.

Gjendja e sulmuesit të Bajernit nuk është më e mira. Nëse gjithçka shkon mirë, ai mund të jetë në dispozicion të skuadrës pas ndeshjes së dytë në grup. Mane u dëmtua në ndeshjen e Bundesligës ndaj Verder Bremeni, ku la fushën pas rreth 20 minutash, sepse pati një problem në gjurin e djathtë.

Dhe për të shpejtuar kohën e rikuperimit, senegalezët kërkojnë ndihmën e shtriganëve.

“Do të përdorim shtriganët, – ka thënë Fatma Samoura, drejtuesja senegaleze dhe sekretarja e përgjithshme e FIFA-s për mikrofonët e ‘Europe 1’. – Nuk e di a do të jetë efikase, por në këtë rast kërkojmë ndihmën e tyre gjithsesi. Besojmë te mrekullitë, Mane duhet të jetë prezent”.

Me lojtarët e vendeve afrikane është një teori e njohur tashmë kjo e shtriganëve, apo magjive, edhe pse deri më sot nuk është parë ndonjë mrekulli.