Maqedonia e Veriut shkruan historinë, duke siguruar vendin e dytë në grupin J, pasi mundi në Shkup Islandën me rezultatin 3-1 dhe arriti të sigurojë një vend në fazën play off, për të vijuar ëndrrën për një vend në Kupën e Botës Katar 2022.
Skuadra ballkanase ishte mjaft kërkuese, duke u shpërblyer në minutën e 7-ë me Alioskin që zhbllokoi rezultatin. Fqinjët tanë ishin dominues, megjithatë nuk arritën që të shënonin më në fraksionin e parë. Pjesa e dytë nisi me një surprizë të pakëndshme të Islandës, që vendosi ekuilibrin në mundësinë e parë që iu krijua me Thorsteinson.
Për të entuziazmuar tifozët në Shkup mendoi Elmas, i cili përshëndeti rrjetën pasi u shërbye saktë nga Alioski. Elmas mendoi për të shënuar dhe golin e dytë personal dhe të “knock out” për Islandën. Deri në fund maqedonasit e menaxhuan mirë rezultatin, që u mjaftoi për të festuar vendin e dytë në grup.
Gjermania, e cila e kishte siguruar vendin e parë në grupin J, e mbylli me fitore këtë edicion kualifikuesesh. Panzerat mundën Armeninë në Jerevan me rezultatin 1-4. Havertz, Gundogan dy herë dhe Hoffman ishin përcaktues për skuadrën e Hansi Flick, që pas këtij suksesi shkon në kuotën e 27 pikëve.
Në takimin tjetër të këtij grupi, Rumania mundi në transfertë Lihtenshtejnin me rezultatin 0-2 me golat e Man dhe Bancu. Suksesi nuk i mjaftoi skuadrës së Radoi, që e sheh veten një pikë pas Maqedonisë së Veriut.