Opinione Maqedonia e Veriut vazhdon kursin properëndimor

Maqedonia e Veriut vazhdon kursin properëndimor

Pas përvojës së viteve të kaluara, Maqedonia e Veriut ka nevojë tani për një president normal e të drejtë. Të shpresojmë që Stevo Pendarovski është një president i tillë, komenton Boris Georgievski.

Nga Boris Georgievski*

Në Maqedoninë e Veriut u zhvilluan zgjedhjet presidenciale dhe qytetarët e dhanë një sinjal të qartë – jo turbulenca politike, vazhdim i kursit properëndimor. Zgjedhja e Stevo Pendarovskit si presidenti i pestë i republikës së vogël ballkanike është mbështetje edhe për socialdemokratët që qeverisin në Shkup. Ata ishin pro kandidatit politolog që kishte koordinuar përpjekjet për anëtarësimin e vendit në NATO. Balotazhi ishte një garë mes forcave proeuropiane dhe nacionalistëve. Sepse shoqëria është ende e përçarë për shkak të ndryshimit të emrit pas ujdisë me Greqinë. Pas vitesh grindjeje, në shkurt vendi ndryshoi zyrtarisht emrin në Maqedoni e Veriut. Një hap që hapi dyert e NATO-s dhe drejt BE.

Gjatë fushatës Pendarovski dhe rivalja e tij Gordana Siljanovska-Davkova kishin qëndrime diametralisht të kundërta lidhur me këtë çështje. Por që të dy premtuan në rast të fitores të kudjeseshin për probleme më urgjente: Ekonominë në stanjacion, papunësinë e lartë, korrupsionin e përhapur dhe nepotizmin, si edhe një administratë funksionuese. Në një kohë që presidenti ka në Maqedoni funksion përfaqësues.

Presidenti të luajë rol korrektues

Për Pendarovskin vjen edhe një detyrë e re, që paraardhësi i tij, Gjorge Ivanov e injoroi vazhdimisht: të luajë rolin e korrektuesit për qeverinë në Shkup. Presidenti i deritanishëm ishte më shumë një shërbëtor i nacionalistëve të VMRO-DPMNE, që qeverisën më parë. Ivanov e shndërroi postin e presidentit në një pikë grumbullimi të sentimentalizmave nacionalë dhe dallgëve antiperëndimore dhe e torturoi vendin me paaftësinë dhe frikën e tij. Kështu ai nënshkroi në vitin 2016 një amnisti për të gjithë politikanët e ndjekur penalisht, vetëm për të mbrojtur Nikola Gruevskin, atëherë kryetar i qeverisë në Shkup. Gruevski ndërkohë (në një formë aventureske) iku në një ekzil të kërkuar vetë në Budapest, ku jeton në mbrojtjen e kryeministrit, Viktor Orban. Vërtet disa muaj më vonë, Ivanov pas presionit ndërkombëtar e tërhoqi amnistinë e tij, por dëmi i shkaktuar nuk riparohej aq shpejt.

27 prill 2017 – një pikë kulmore e turpshme

Një vit më vonë gabimi tjetër presidencial: Ivanov refuzonte t’i jepte mandatin shumicës parlamentare për krijimin e qeverisë. Me këtë ai e zgjati krizën politike në vend me disa muaj, e cila më 27 prill 2017 arriti një pikë kulmore të turpshme: Një turmë nacionalistësh mësyu parlamentin, sepse shumica parlamentare e deputetëve socialdemokratë zgjodhi si kryetar të parlamentit një shqiptar. Në fund të mandatit të tij, BE dhe shtetet perëndimore i kthyen kurrizin presidentit Ivanov: Ai e kishte bllokuar qeverinë, duke refuzuar të nënshkruante ligje të rëndësisme me emrin Maqedoni e Veriut.

Presidenti i ri Stevo Pendarovski ka tani detyrën t’i rikthejë dinjitetin dhe respektin presidencës. Kjo nuk është ndonjë dëshirë shumë e madhe pas përvojave të viteve të kaluara, dhe pritshmëritë jo të mëdha nga presidenti i ri. Askush nuk kërkon gjëra spektakolare nga presidenti i sapozgjedhur. Maqedonia e Veriut ka nevojë tani thjesht për një president normal, president të drejtë  – të shpresojmë që tani e ka.

*DW