Diego Maradona i është nënshtruar një operacioni në kokë mbrëmjen e djeshme, pasi kishte pësuar një mpiksje gjatë një goditjeje që kishte marrë disa ditë më parë, ndërsa gjithçka shkoi me sukses.
“Operacioni shkoi shumë mirë”, garantoi Leopoldo Luque, mjeku personal i Maradonës që ishte dhe mjeku që bëri ndërhyrjen.
Edhe zëdhënësi i legjendës argjentinase të futbollit, Sebastian Sanchi, që deklaroi se operacioni kishte shkuar shumë mirë dhe se Maradonës do t’i duhen pak ditë për të rimarrë veten dhe për t’iu rikthyer normalitetit.
“Operacioni zgjati rreth 80 minuta dhe gjithçka shkoi shumë mirë, duke hequr pjesën e mpiksjes në krahun e majtë të kokës. Diego e përballoi mirë operacionin, ndonëse do të vijojë të qëndrojë nën mbikëqyrjen e mjekëve edhe për disa ditë”, u shpreh Sanchi.
Tifozë të shumtë të legjendës ishin mbledhur pranë klinikës, ndërsa kishin ngritur edhe pankarta inkurajimi.
Maradona festoi të premten 60-vjetorin e lindjes, teksa u ul në pankinë për ndeshjen mes Gimnasia La Plata-s dhe Patronatos, por u largua në fundin e pjesës së parë, pasi nuk ndjehej mirë.
Të shtunën “El Pibe D’Oro” u shtrua në një klinikë private në La Plata, fillimisht me dyshimet se po kalonte një gjendje të rënduar psikologjike, po ekzaminimet mjekësore konfirmuan se bëhej fjalë për një mpiksje gjaku në kokë.