Sport Marash Kumbulla te Roma: 10 kuriozitete që duhet t’i dini mbi talentin...

Marash Kumbulla te Roma: 10 kuriozitete që duhet t’i dini mbi talentin shqiptar

Babai i tij emigroi nga Shqipëria në Itali me gomone. Ka kombësi të dyfishtë, italiane dhe shqiptare. Ka idhull Chiellinin dhe do të jetë futbollisti i dytë shqiptar që vesh fanellën e Romës

Marash Kumbulla është lojtar i Romës. Mbrojtësi shqiptar zbarkoi të mërkurën pasdite në kryeqytet, ku iu nënshtrua edhe ekzaminimeve mjekësore, para nënshkrimit të kontratës. “Vocegiallorossa.it” ju ofron 10 kuriozitete për lojtarin e talentuar shqiptar.

1 – Kumbulla është djali i një emigranti shqiptar, i cili mbërriti në Itali me gomone nga Shqipëria në kërkim të fatit më të mirë. Katër vite pas mbërritjes në Itali (1996), babait, që quhet Lin, e erdhi në jetë Marash.

2 – Ashtu siç bëri Lorenzo Pellegrini në Romë, edhe Kumbulla mbërriti me të njëjtën fanellë, atë të Hellas Verona: “Kam ardhur te Verona kur isha rreth 8 vjeç, bëra kalimin nëpër të gjithë zinxhirin e të rinjve dhe tani jam në ekipin e pare. Ndihem i lumtur të jap kontributin tim”.

3 – Debutimi i tij në Serie A ndodhi sezonin e kaluar (25 gusht 2019, kundër Bologna), falë trajnerit Ivan Juric: “Unë vendosa që Marash të luante titullar që nga dita e parë, sepse sulmuesit kundër tij vuanin shumë në stërvitje. Ai tashmë është një burrë”.

4 – E shënoi golin e tij të parë në Serie A më 5 tetor 2019, në fitoren 2-0 kundër Sampdoria, duke u bërë mbrojtësi i parë, i lindur në vitin 2000, që realizonte gol në ligat më të mëdha në Europë.

5 – Idhulli i tij është Giorgio Chiellini, posterin e të cilit e kishte në dhomën e vet që fëmijë: “Unë gjithmonë e kam admiruar vendosmërinë dhe dëshirën e tij për t’u përmirësuar. Giorgio është një luftëtar i vërtetë në fushë”.

6 – Ai luajti shumicën e ndeshjeve në qendër të mbrojtjes prej tre lojtarësh. Pastaj ai u zhvendos në qendrën e majtë: “Më pëlqen shumë ky rol, sepse kam njëfarë lirie për ta provuar veten edhe përpara”.

7 – Me kombësi të dyfishtë, italiane dhe shqiptare, ai zgjodhi kombëtaren e rrënjëve: “Prindërit e mi janë shqiptarë dhe kanë jetuar këtu në Itali për më shumë se 20 vite. Ndihem edhe italian, edhe shqiptar, por pa dyshim pak më shumë shqiptar, qysh kur luaj për ekipin kombëtar”. Thirrja e parë prej kuqezinjve i mbërriti më 31 gusht 2019, ndërsa debutimi ndodhi më 14 tetor të të njëjtit vit, kundër Moldavisë.

8 – Ndeshja e fundit e luajtur në Serie A nga Kumbulla ishte kundër Romës së Fonseca. Më 15 korrik, në të vërtetë, Juric e aktivizoi titullar shqiptarin. Pastaj u desh ta zëvendësonte në minutën e 19-të për shkak të një dëmtimi në pjesën e muskujve, që do ta mbante jashtë fushave deri në fund të sezonit.

9 – 25 ndeshje, 1 gol, 5 kartona të verdhë dhe 1 karton të kuq, për një vlerësim mesatar prej 6.15. Këto janë statistikat e Kumbullës në sezonin e tij të parë në Serie A.

10 – Marash Kumbulla do të jetë futbollisti i dytë shqiptar që vesh fanellën e Romës. Për të cituar të parin është e nevojshme të kthehemi 91 vite mbrapa, më 1939, kur Naim Krieziu, “shigjeta e Tiranës”, nënshkroi për verdhekuqtë. Ai përfaqësoi këto ngjyra deri në vitin 1947, duke fituar kampionatin historik të sezonit 1941-1942.