Mariupoli ka qenë shënjestra e sulmeve të vazhdueshme e forcave ruse sepse është një pozicion strategjik gjatë kufirit jugor. Prej javësh, qyteti është bombarduar në mënyrë intensive.
Në një raport të Human Rights Ëatch qyteti përshkruhej si një ferr i ngrirë, i mbushur me trupa të vdekur dhe me ndërtesa të shkatërruara. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se rreth ¼ e popullsisë, pra rreth 100 mijë njerëz, janë të bllokuar nën kushte çnjerëzore.
“Pa ushqim. Pa ujë. Pa ilaçe. Nën bombardime të vazhdueshme”, tha ai gjatë një fjalimi.
Mediat ndërkombëtare kanë shpërndarë disa imazhe satelitore ku shfaqet shkalla e shkatërrimit gjatë ditës së fundit.
Zelensky ka thënë po ashtu se zyrtarët ukrainas dhe aleatët po bëjnë më të mirën që të çojnë ndihmë në qytet dhe të nxjerrin civilët jashtë. Të martën rreth 7 mijë persona mundën që të arratiseshin nga qyteti.
Por sipas Presidentit ukrainas, edhe ata që largohen janë sulmuar. Zelenksy pretendon se një autokolonë humanitare është kapur nga trupat ruse dhe punonjësit e emergjencës shtetërore dhe shoferët e autobusëve janë marrë të burgosur.