Në Tiranë janë mbledhur qindra përfaqësues emigrantëve shqiptarë për të marrë pjesë në Samitin e Dytë të Diasporës.
Gjatë konferencës së të premtes, anëtari i Asamblesë Kombëtare të New York, Mark Gjonaj, tha se Kosova dhe Shqipëria duhet të unifikojnë axhendën kombëtare.
Mark Gjonaj: “Këtë vit kemi bërë një kërkesë për të pasur një konferencë përsa i përket liderave shqiptarë, e cila do organizohet nga një vend në një vend tjetër çdo vit, atje ku jetojnë shqiptarët me popullsi të madhe. Duhet të bëjmë një plan veprimi që të trajtojmë axhendën tonë kombëtare dhe të ecim para në lidhje me çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me të ardhmen tonë.
Ne duhet të përfshijmë lidhje të ndryshme mes Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Çamërisë dhe Luginën e Preshevës, pavarësisht bindjeve të ndryshme politike dhe pozicioneve që kanë. Një axhendë kombëtare që të jetë e suksesshme duhet që Shqipëria dhe Kosova të punojnë ngushtësisht me njëra-tjetrën në mënyrë që të formojnë një mesazh të unifikuar kur bëhet fjalë për axhendën kombëtare. “
Gjonaj shtoi se qeveria shqiptare duhet të punojë ngushtësisht me Diasporën për zgjidhjen e çështjeve të ndryshme në Shqipëri, duke e konsideruar Diasporë është një aset të rëndësishëm për shkak të ndikimit që kanë shqiptarët në vendet ku jetojnë.
Mark Gjonaj: “Pavarësisht arritjeve janë shumë fusha dhe çështje që duhet të përmirësohen dhe të ndërhyjmë. Kemi nevojë që të krijojmë stabilitet në vendin tonë të lindjes, si të drejtat e grave, antikorrupsioni, stabiliteti rajonal, përmirësimi në shëndetësi, në punësim dhe arsim. Diaspora mund të luajë një rol të rëndësishëm në trajtimin e këtyre çështjeve, një zgjidhje do ishte hapja e Këshillit të Diasporës shqiptare, që mund të zgjidhet vetëm nga Diaspora, përfaqësues nga Diaspora, vendeve të ndryshme që janë pjesë e këshillit, përfaqësues që punojnë ngushtësisht me qeverinë dhe kanë lidhje me Diasporën.
Diaspora është një aset mjaft i rëndësishëm, pasi mund të japim zgjidhje përmes influencës që kemi në vendet tona, për përfitimet e Shqipërisë. Ka ardhur momenti për Shqipërinë, atdheun tonë që të përfaqësojë ngushtësisht Diasporën, ta shikojë si partner të rëndësishëm që të mund të ecim përpara së bashku, përsa i përket interesave që mund të kenë njerëzit tanë në lidhje me çështje të ndryshme kombëtare.”