Në analizën vjetore të Prokurorisë së Tiranës, kryeprokurorja Arta Marku ka kritikuar vartësit e saj pasi nuk janë përqendruar aq sa duhet në hetimin e çështjeve të rëndësishme.
Gjatë fjalës së saj, kryeprokurorja Marku iu drejtuar prokurorëve duke thënë se ka shumë pak çështje që janë regjistruar dhe aq më pak që të jenë dërguar për gjykim.
Për këtë tha Marku përgjegjësia është personale.
Ajo kërkoi që mos i përgjigjen ngacmimeve politike, por të punojnë në mënyrë të pavarur.
Arta Marku: Ngarkesa ka qenë e madhe, keni punuar mjaftueshëm. Kjo ngarkesë e madhe ka ulur ndjeshëm cilësinë dhe efektivitetin në punë. Ju nuk jeni përqendruar aq sa duhet në hetimin e çështjeve të rëndësishme dhe mund të thuhet se në pak raste ndonjë prej tyre ka përfunduar me ngritje akuzash apo me dërgim për gjykim. Janë konstatuar zvarritje të pajustifikuara në hetimin e çështjeve, ka çështje të rëndësishme që rrinë prej vitesh në sirtarët e prokurorisë, me një mungesë të theksuar përgjegjësie.
Për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprës penale ka shumë pak çështje që janë regjistruar dhe aq më pak që të jenë dërguar për gjykim.
Kjo situatë nuk i përgjigjet aspak realitetit dhe është një nga pikat e dobëta për të cilat Shqipëria ka marrë kritika të shumta nga komiteti Manival dhe mund të penalizohet. Pra hetimet janë të pakta dhe jo të suksesshme për këtë vepër penale.
Për këto dhe për çdo problematike tjetër të konstatuar përgjegjësia është e secilit prej jush, është individuale dhe secili do të mbajë përgjegjësinë që i takojnë. Pasojat rëndojnë mbi qytetarin dhe më gjerë.
Kërkoj të punoni duke i kushtuar rëndësinë e duhur çdo çështje dhe kryerjen e veprimeve hetimore në kohën më të shpejtë të mundshme në çështje ku vëmendja e publikut është e shtuar.
Nëse veprohet shpejt nuk i lihet hapësirë spekulimeve.
Kujdes me deklaratat publike për çështje të caktuara pasi rrezikoni të anashkaloni funksionin tuaj primar, atë të ndjekjes penale.
Prokuroria nuk mund dhe nuk duhet ti përgjigjet me deklarata çdo ngacmimi që vjen nga politika. Përgjigja e duhur është nëpërmjet ushtrimit të funksionit kushtetues të ndjekjes penale, zgjidhjes së çështjes në kohë të arsyeshme dhe me profesionalizëm.
Ushtroni funksionet tuaj në pavarësi të plotë larg çdo ndikimi, por duke krijuar praktikat tuaja që janë të njëjta në raste të ngjashme.