Edhe pas zgjedhjeve presidenciale në Turqi problemet mes Brukselit dhe Ankarasë do të mbeten. Erdogan e shpalli fitoren dhe akuzoi para përkrahësve mediat europiane, se donin ta rrëzonin atë.
Si e shikon BE marrëdhënien me Turqinë?
Komisioni Europian e shikon me sy kritik sundimin gjithnjë e më autoritar të presidentit Tayyip Recep Erdogan. “Shqetësimet e mëdha për shkak të rrënimit të demokracisë, të shtetit ligjor dhe të drejtave të njeriut dhe pavarësisë së drejtësisë nuk janë respektuar”, thuhet në raportin e fundit të BE për Turqinë në vitin 2022. Në vend të kësaj vazhdojnë zhvillimet negative. “Edhe shqetësimet për politikën ekonomike dhe funksionimin e ekonmisë së tregut janë rritur edhe më tej.” Megjithatë në raport theksohet, se Turqia vazhdon të mbetet një partnere e rëndësishme në temat e migracionit, mbrojtjes së klimës dhe sigurisë energjitike.
Një rol të rëndësishëm vazhdon të luajë anëtarja e NATO-s e fortë ushtarakisht edhe si ndërmjetësuese për marrëveshjen mes Rusisë dhe Ukrainës për drithërat. Por krerët e vendeve të BE kanë ushtruar kritika të forta kundrejt Turqisë pas kërcënimeve të saj ndaj anëtarëve të BE, Qipro dhe Greqi. Turqia ka shkelur disa herë hapësirën ajrore greke dhe qipriote apo ujërat territoriale me marinën e saj. Po ashtu BE kërkon rregullisht nga Turqia të njohë vendimet e Gjykatës Europiane për të Drejtat e njeriut dhe të lirojë aktivistin Osmana Kavala për shembull, i dënuar me burgim të përjetshëm, sepse me gjasë ka marrë pjesë në organizimin e protestave në Parkun Gezi në vitin 2013.
Qëndrimi i Turqisë
Në analizën e Ministrisë së Jashtme të Turqisë thuhet përkundër, se në marrëdhënien me BE “gjithnjë ka zhvillime që shënojnë progres përpara dhe sërish zhvillime negative.” Kjo e përcakton prej dekadash marrëdhënien Turqi-BE. Pas përpjekjes së dyshuar për puç ushtarak kundër presidentit Erdogan, në vitin 2016, pas të cilit Turqia reagoi me ligje për gjendjen e jashtëzakonshme dhe kufizimin e të drejtave dekomratike, marrëdhëniet mes dy vendeve janë keqësuar, pranon Ministria e Jashtme.
“Qëndrimi i ftohtë dhe kritik i BE pas zhvillimeve të puçit tinzar të 15 korrikut (2016) ka shkaktuar një krizë besimi. Fakti që BE nuk e kupton ndikimin e organizatës terroriste “FETÖ” dhe për masa të caktuara e kritikon Turqinë, e ka dobësuar dialogun.” Nën “FETÖ”, presidenti turk beson tek një komplot me gjasë terrorist, i drejtuar nga predikuesi që jeton në SHBA, Fetullah Gülen.
Megjithatë BE mbetet për Turqinë një partnere e rëndësishme strategjike, këtu theksohet sidomos marrëdhënia e arritur për refugjatët. Turqia merr miliarda nga BE për të mbajtur 3,5 milionë refugjatët sirianë që qëndrojnë në vend. Por marrëveshja është e brishtë. Në vitin 2020, Erdogan hapi për një kohë të shkurtër kufijtë në Edirne dhe i përdori refugjatët si mjet presioni. Si edhe më parë Turqia vetë e ndjek objektivin e anëtarësimit në BE, por në fillim BE duhet të zgjidhë problemet e brendshme, thuhet për këtë nga Ministria e Jashtme në Ankara.
A është Turqia ende kandidate për anëtarësim?
Brukseli faktikisht i ka pezulluar negociatat e anëtarësimit në vitin 2018. Por ato nuk janë ndërprerë. Negociatat që zhvillohen nga viti 2005 mund të riaktivizohen pas zgjedhjeve parlamentare. Për këtë kusht është që Turqia të paktën të njohë jo drejtpërdrejt anëtaren e BE, Qipron. Trupat turke mbajnë prej gati 50 vjetësh të pushtuar pjesën veriore të Qipros. “Përpjekjet për anëtarësim nuk janë të vdekura, por në koma”, thekson ekspertja për Turqinë, Amanda Paul nga instituti “European Policy Centre” në Bruksel për Deutsche Wellen. Sipas Paul me Erdoganin në pushtet, ka pak gjasë që kjo gjendje të dalë nga koma. Tek anëtarët e BE për momentin është i vogël interesi i angazhimit me një Turqi gjithnjë e më nacionaliste. Nga ana tjetvr “anëtarësimi në BE është edhe më tej shumë popullor tek turqit. Ende 70% janë për anëtarësimin në BE”, thekson Paul.
Si do të veprohet pas zgjedhjeve?
Amanda Paul është e mendimit se “është një marrëdhënie e vështirë që me kalimin e kohës është keqësuar. Thënë hapur, nuk besoj në ndryshime pozitive.” Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock në takimin me homologun e saj turk, Mevlüt Cavusoglu në Stamboll në vitin 2022 shprehu kritikë të hapur ndaj Turqisë, por pranoi, se nuk nevojiten konfrontime të tjera, për shkak se perëndimi duhet të qëndrojë i bashkuar në NATO për të mbajtur larg Rusinë. “Tek miqësia bën pjesë që të dëgjojmë njëri-tjetrin deri sa të dhembin veshët”, tha Baerbock në Stamboll atëherë në konferencën për shtyp. Tani pas fitores së Erdoganit, BE dhe NATO presin që Turqia pas zgjedhjeve të japë miratimin e saj për pranimin e Suedisë në aleancën perëndimore. Pritet që miratimi për Suedinë të jepet në korrik./DW