Politika Marrëdhënia Rama-McGonigal, Berisha: Shpallja ime non-grata, pjesë e skenarit kundër opozitës

Marrëdhënia Rama-McGonigal, Berisha: Shpallja ime non-grata, pjesë e skenarit kundër opozitës

Marrëdhënien e kryeministrit Edi Rama me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së që po përballet me drejtësinë amerikane, Sali Berisha e konsideroi si një tentativë për asgjësuar opozitën shqiptare nëpërmjet korruptimit të Charles McGonigal.

Kryedemokrati foli për një skenar të mirëfilltë që synonte asgjësimin e opozitës dhe pluralizmit në vend.

“Skenar, i cili u zhvillua në tre etapa: e para, në zyrat e McGonigal kundër Nick Muzin, që u kurorëzoi në ndjekjen penale të Lulzim Bashës dhe mbylljes së dosjes dhe marrjes peng të Bashës. Etapa e dytë ishte sanksionimi i Sali Berishës, pasi ai nuk do pranonte kurrë që PD të bashkëqeveriste me Edi Ramën.”

Faza e fundit e këtij skenarit, sipas Berishës, lidhet me zgjedhjet vendore të 14 majit.

“Etapa e tretë, Edi Rama në mënyrën më kriminale nuk ndalon në veprën e tij makabër për të qeverisur pa opozitë, për të konsoliduar monizmin e tij, don të përjashtojë nga zgjedhjet e 14 majit, PD-në. Por kjo dëshirë e tij merr fund, kjo ëndërr e tij bëhet pluhur.”

Këto tre etapa për kryedemokratin janë një thikë pas shpine që kryeministri i Shqipërisë i ka dhënë marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.

“Aty ky përfundoi McGonigal, do përfundojë edhe Edi Rama si bashkëpunëtor në një krim të shëmtuar kundër vendit të tij. Bëri një pabesi ekzemplare ndaj vendit të madh të lirisë, duke i korruptuar shefin e kundërzbulimit të FBI-së.”

Duke marrë shkas nga këto qëndrime, Berisha bëri thirrje për pjesëmarrjen e qytetarëve në protestën e 11 shkurtit.