Politika shqiptare reagon e bashkuar për lajmin e marrëveshjes Kosovë-Serbi për njohjen e dokumenteve në kufi, “mollë sherri” dhe burim tensionesh midis dy vendeve.
Për kryeministrin Rama, marrëveshja e njoftuar nga përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josip Borrell, përbën lajm të bukur por “ bashkë me urimet për të dy palët uroj që ky zhvillim ta çojë dialogun në një nivel të ri, për të mos humbur kohë dhe energji pafund në arritjen e gjërave kaq thjeshtësisht logjike sa kjo sot”, thuhet në mesazhin e tij në Twitter.
Ndërkohë, lideri i Partisë Demokratike Sali Berisha ka reaguar në Facebook. “Një hap i rëndësishëm në drejtimin e duhur! Partia Demokratike ka mbështetur pa lëkundje zgjidhjen e këtij problemi të krijuar nga pala serbe mbi bazën e reciprocitetit dhe barazisë midis palëve.
Me këtë rast, Partia Demokratike, duke vlerësuar lart kontributin e të deleguarve të veçantë për dialogun Kosovë-Serbi të BE dhe SHBA, Mirosllav Lajçak dhe Gabriel Eskobar, si dhe te Sekretarit te Përgjithshëm të Nato-s Stoltenberg përshëndet arritjen e kësaj marrëveshje si një hap i rëndësishëm në normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe uron që mbi bazën e parimeve te barazisë dhe reciprocitetit, parime universale në marrëdhëniet midis vendeve, Kosova dhe Serbia të zgjidhin me sukses problemet e tjera të mëdha midis dy vendeve. Vetëm një Ballkan i vendeve sovrane dhe te barabarta do mund të jetë një rajon paqe, stabiliteti dhe integrohet i sigurtë në BE”, shkruan Berisha.
Reagon edhe ish-presidenti Ilir Meta, lider i Partisë së Lirisë. “Partia e Lirisë beson se vetëm nëpërmjet vijimit të dialogut të lehtësuar nga BE dhe SHBA, si dhe respektimit të frymës dhe vlerave europiane mes Kosovës dhe Serbisë, mund të arrihet në një zgjidhje e qëndrueshme në thelb të së cilës duhet të qëndrojë njohja reciproke midis dy shteteve”, thuhet në mesazhin e tij.
Përshëndet marrëveshjen edhe presidenti Bajram Begaj. “ Përshëndes marrëveshjen që lehtëson udhëtimin e shtetasve mes Kosovës 🇪🇺 dhe Serbisë 🇷🇸, në interesin më të mirë të gjithë qytetarëve. Vlerësim për dialogun që sjell rezultate dhe mirënjohje për mbështetjen e BE dhe SHBA”, shkruhet në profilin e tij.