Aktualitet Marrëveshja/ Libra dhe aktivitete për të miturit në burgun e Kavajës

Marrëveshja/ Libra dhe aktivitete për të miturit në burgun e Kavajës

Qendra e Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve, së bashku me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, nënshkruan sot në mjediset e Ministrisë së Drejtësisë një Marrëveshje Bashkëpunimi për iniciativa të përbashkëta në realizimin e aktiviteteve në kuadër të rehabilitimit dhe riintegrimit të të miturve që vuajnë dënimin në Institutin e të Miturve në Kavajë.

Në sajë të kësaj marrëveshjeje, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shkruan në rrjetet sociale se do të pasurohet me libra biblioteka e Institutit të të Miturve, Kavajë si dhe do të zhvillohen aktivitete për të miturit në burgun e Kavajës.

“Sipas kësaj marrëveshje, dy institucionet bien dakord për:

Pasurimin me libra të bibliotekës së Institutit të të Miturve, Kavajë, ose të të Miturve të tjerë në konflikt me ligjin;

Mbështetjen në funksion të botimeve të ndryshme, me fokus të miturit/të rinjtë që janë duke vuajtur dënimin, apo kanë përfunduar periudhën e vuajtjes së dënimit së fundmi;

Organizimin e aktiviteteve të përbashkëta të palëve, pranë Institutit të të Miturve, Kavajë;

Evidentimin e të miturve me talent në prozë dhe poezi, etj”, thuhet në njoftimin e QKLL-së.

Alda Bardhyli, drejtoreshë e QKLL-së, dhe Klaudia Hasanllari, drejtoreshë e QPKMR-së, ndër të tjera ranë dakord edhe për realizimin e një Kalendari Aktivitetesh të Përbashkëta përgjatë vitit 2022.