Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, për të zhvilluar seancë të hapur për mediat në lidhje me shqyrtimin e marrëveshjes së Shqipërisë me Italinë për emigrantët.
Këtë vendim, deputetet e opozitës e kanë cilësuar si shmangie të transparencës nga ana e Gjykatës Kushtetuese.
“Transparenca e munguar nga Këshilli i Ministrave gjatë negocimit dhe nënshkrimit të Protokollit për emigrantët me Italinë, duket se vazhdon edhe gjatë shqyrtimit të kësaj çështjeje nga Gjykata Kushtetuese, për sa kohë që publiku dhe mediat nuk kanë mundësi që të njihen me materialet e çështjes dhe të dëgjojnë qëndrimet e palëve, pyetjet e Gjykatës dhe përgjigjet e tyre, si dhe debatin gjyqësor. Gjykata Kushtetuese ka refuzuar të premten kërkesën e Grupit Parlamentar të PD që kërkojë shqyrtimin publik të kësaj çështje…”
Gjykatës Kushtetuese iu dërgua dje një letër që mbante firmën e kryetarit të grupit, Gazment Bardhi. Aty argumentohej fakti se seanca e cila është parashikuar të zhvillohet më 18 Janar, të jetë e hapur për mediat dhe publikun pasi mbart një rëndësi të veçantë.
Gjykata Kushtetuese shqiptare e pezulloi ratifikimin në Kuvend të marrëveshjes të nënshkruar me 6 Nëntor nga Rama e Meloni.
Kjo marrëveshje pritej të votohej e miratohej në seancën plenare të 14 Dhjetorit, por tanimë Kuvendi duhet që të presë deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, e cila nis shqyrtimin e çështjes më 18 Janar.
Plani i të dy qeverive ishte që në muajin Qershor të ishte gati infrastruktura në Shëngjin e Gjadër në mënyrë që të niste mbërritja e refugjatëve.