Kryesore Marrëveshja për Presidentin: Në raundin e dytë e tretë propozon vetëm opozita

Marrëveshja për Presidentin: Në raundin e dytë e tretë propozon vetëm opozita

Presidenca

Në mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve, mazhoranca dhe opozita ranë dakord që raundin e dytë dhe të tretë të propozojë vetëm opozita një emër për president.

Kështu, deri në raundin e katërt mazhoranca nuk do të propozojë emër.

Më 23 maj është raundi i dytë i votimit për zgjedhjen e presidentit. Votimi pritet të zhvillohet në orën 18:00.

Raundi i parë për presidentin dështoi për shkak të mungesës së një kandidature për postin e Kreut të Shtetit.

Gjatë diskutimeve për zgjedhjen e presidentit të ri në Konferencën e Kryetarëve, kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla, u shpreh se opozita ka dhe dy raunde afat, për të propozuar një kandidat apo më shumë për kreun e shtetit.

Sipas Ballës, mazhoranca do të vlerësojë të gjithë emrat që do të propozojë opozita, nëse marrin mbështetjen e 20 deputetëve, por shtoi se nuk do të pranojë asnjë kandidat nga Rithemelimi i Berishës.

“Nga sot, deri në fund të procesit kanë mbetur dhe 4 raunde, 2 i takojnë opozitës dhe 2 të tjera mazhorancës. Dy raunde i takojnë opozitës të jetë bashkëpunuese, por edhe ne duhet të jemi shumë bashkëpunues. Kemi pasur dëshirën të ulemi të gjithë bashkë si sot. Ju thoni opozita të ketë të drejtën e propozimit. Jam plotësisht dakord që opozita të ketë të drejtë për të propozuar, por jo monopolin e propozimit. Ua kam thënë gjithmonë të drejtën, e ka pasur çdo palë, shembulli që solli Mediu për presidentin që u zgjodh në 2002 e propozoi Partia e Bashkimit Liberal Demokrat.

Të hënën në orën 18:00, kemi raundin e dytë. Që presidenti të zgjidhet duhet të propozohet nga 20 deputetë. I keni 20 firma për të propozuar në datën 2? Silleni kandidatin. Nëse do të ishte unik… Opozita mund të sjellë 3 kandidatë, por kemi vënë një kusht që kandidat nga katrani me bojë nuk pranojmë. Silleni kandidatin. Po keni dakordësi për një kandidat është gjë e mirë. Kështu respektojmë dhe jemi të barabartë. Dy raunde i keni ju. Ne nuk do të propozojmë kandidat pa propozuar ju. Ju do të propozoni, ne do ta mendojmë”, u shpreh Balla.

Për të zgjedhur presidentin e ri në tre raundet e para duhen së paku 84 vota, të cilat mazhoranca e Partisë Socialiste nuk i ka.

Pas raundit të tretë, mazhoranca mund ta zgjedhë vetë kreun e ri të Shtetit, pasi i ka 71 votat e nevojshme.