Pasditen e sotme do të nënshkruhet në Hjuston, Teksas marrëveshja e bashkëpunimit midis Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Exxon Mobil e Excelerate Energy për vlerësimin e kuadrit rregullator teknik dhe komercial të futjes së gazit të lëngshëm natyror (LNG) në Shqipëri.
Kjo marrëveshje, e cila do të nënshkruhet nga ministrja Belinda Balluku është përshëndetur nga Zëvendëssekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Philip Reeker, i cili i ka dërguar një letër ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke vlerësuar këtë hap i cili do të kontribuojë për pavarësinë energjetike të Shqipërisë.
Ministrja Balluku ka publikuar letrën e Zëvendëssekretarit Reeker në rrjetet sociale. “E nderuar nga vlerësimi dhe mbështetja e shprehur përmes kësaj letre nga Zëvendëssekretari Reeker. Sot hapim një faqe të re në historinë e energjetikës shqiptare, por dhe një faqe të re suksesi për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA. Kemi punuar intensivisht këto dy vite, por nuk do ishim këtu sot pa përkushtimin dhe mbështetjen esenciale të ambasadores. Faleminderit!”.
Marrëveshja përfshin zinxhirin e plotë duke nisur nga konvertimi i TEC Vlorë me LNG, tek ndërtimi i një terminali të ri gazifikimi, e deri tek shpërndarja në shkalle të vogël e LNG, duke shndërruar Vlorën në një HUB rajonal.
Rritja e sigurisë së furnizimit është thelbësore jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për fqinjët tanë Ballkanikë, ndaj penetrimi dhe zhvillimi i tregut të LNG- së do të sjellë përfitime për të gjithë rajonin.