Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një shkrese zyrtare e ka informuar kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, lidhur me implikimet e mundshme kushtetuese të shkëmbimit të letrave të datës 19 prill 2013 ndërmjet kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi dhe Sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.
Në letrën e Kurtit drejtuar Osmanit thuhet se “përmes kësaj marrëveshje, kryeministri Thaçi në emër të Republikës së Kosovës, barti te KFOR-i të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri të Kosovës, për një periudhë të paafatizuar”.
Kurti ka deklaruar se pas pranimit zyrtar të detyrës së kryeministrit “ka kërkuar nga stafi i Zyrës së Kryeministrit që, pa vonesë, të analizojë përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje sekrete, si dhe implikimet e saj kushtetuese, përkatësisht në lidhje me kërkesat kushtetuese të përcaktuara me nenin 20 [Bartja e Sovranitetit], nenin 18 [Ratifikimi i Marrëveshjeve Ndërkombëtare] dhe nenin 91 [Shkarkimi i Presidentit]”.
“Qëllimi i kësaj shkrese është që t’ju njoftoj juve, në cilësinë tuaj si kryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për ekzistencën e marrëveshjes sekrete, si dhe për rezultatet e analizës së Zyrës së Kryeministrit. Për t’iu shmangur çdo keqkuptimi të mundshëm, dua të jem sa më i qartë: Unë, si kryeministër, nuk shpreh asnjë qëndrim për ose kundër marrëveshjes sekrete, për sa i përket përmbajtjes së saj”.
“Unë, si kryeministër, e kuptoj dhe e vlerësoj thellësisht rëndësinë e jashtëzakonshme të bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe NATO-s për sigurimin e plotë të integritetit territorial të Republikës dhe të qytetarëve të saj. Dhe unë, si kryeministër, i garantoj Kuvendit, si dhe të gjithë qytetarëve të Republikës se nuk do të ndërmarr asnjë hap që do të rrezikonte këtë aleancë të domosdoshme për sigurinë e vendit tonë”, thuhet në shkresën e kryeministrit Kurti.
Kurti përmend edhe mundësinë ligjore për shkarkimin e presidentit Hashim Thaçi lidhur me këtë çështje.
“Mirëpo, kur presidenti i vendit, gjatë kohës kur ishte kryeministër, bart kompetenca sovrane të Republikës së Kosovës të një organizate ndërkombëtare përmes një marëveshjeje sekrete, pa e njoftuar Kuvendin dhe në shpërfillje të plotë të kërkesave të qarta të Kushtetutës, kjo është një gjendje që nuk mund ta toleroj, as si kryeministër, as si qytetar i Republikës së Kosovës”.
“E nderuar Kryetare, në fjalimin tuaj me rastin e 12-vjetorit të pavarësisë, ju keni bërë thirrje që “referencë e jona e çdoditshme të jetë Kushtetuta, ligjet dhe respekti ndaj tyre”. Duke iu bashkuar thirrjes suaj, iu kërkoj të gjithë deputetëve të Kuvendit, të pozitës dhe të opozitës, që të trajtojnë këtë çështje me seriozitetin e duhur, jo si anëtarë të pozitës apo të opozitës, të një partie apo tjetër, por vetëm si mbrojtës të Republikës dhe të Kushtetutës, as më pak dhe as më shumë”.
Kjo shkresë i është dërguar presidentit të vendit Hashim Thaçi dhe Kryeprokurorit të Shtetit të Republikës së Kosovës, Aleksandër Lumezi.
Shkëmbimi i letrave mes kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi dhe Sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen – publikuar nga zyra e kryeministrit Albin Kurti: