Angazhimi i Shteteve të Bashkuara për t’i dalë në krah Koresë së Jugut përballë kërcënimeve bërthamore të fqinjit verior është sigluar me një marrëveshje të rëndësishme.
Sipas ujdisë së nënshkruar gjatë vizitës së presidentit koreano-jugor Yoon Suk-yeol, Uashingtoni ka pranuar të dërgojë periodikisht nëndetëse me armatime nukleare në Korenë e jugut dhe të përfshijë Seulin në operacionet e planifikimit bërthamor. Në këmbim, Koreja e Jugut ka pranuar të mos zhvillojë armët e veta nukleare.
“Aleanca e formuar në luftë po lulëzon në paqe. Marrëveshja për mbrojtjen e ndërsjellë është e çeliktë, dhe përfshin angazhimin” për masa të zgjeruara parandaluese përfshirë edhe ato të parandalimit bërthamor”, u shpreh presidenti Biden.
Ai përsëriti një frazë nga dokumenti i administratës së tij të vitit 2022 për Rishikimin e Gatishmërisë Bërthamore, se një sulm bërthamor ndaj Shteteve të Bashkuara apo aleatëve dhe partnerëve është i papranueshëm dhe do të rezultojë në fundin e regjimit që e bën këtë sulm. Presidenti Yoon e quajti Deklaratën e Uashingtonit “një zgjerim dhe forcim të paprecedentë” të strategjisë së masave parandaluese, një term i njohur gjithashtu si ombrella bërthamore amerikane.
“Ne vendosëm të zgjerojmë në mënyrë të rëndësishme masat parandaluese ndaj kërcënimit bërthamor të Koresë së Veriut në mënyrë që të arrijmë paqen përmes supermacisë së forcave tona dhe jo një paqe të rreme bazuar në vullnetin e mirë të secilës palë”, tha presidenti i Koresë së Jugut Yoon Suk Yeol.
Shqetësimet janë rritur tek të dyja palët lidhur me kërcënimin bërthamor që përbën Koreja e Veriut. Peniani po zhvillon armë taktike bërthamore qe mund të shënjestrojnë Korenë e Jugut dhe po përmirësojnë raketat me rreze të gjatë që mund të arrijnë Amerikën kontinentale. Shtetet e Bashkuara e kishin një traktat qe I detyron të mbrojnë Korenë e jugut, dhe janë zotuar në të kaluarën të përdorin armët bërthamore nëse do të jetë e nevojshme. Por në Seul kanë filluar të ngrihen pikëpyetje mbi angazhimin dhe ka thirrje që vendi të zhvillojë programin e vet bërthamor.