Në një kohë kur Aciacioni Civil në të gjithë botën, po kalon një periudhë shumë të vështirë për shkak të masave parandaluese kundër COVID-19, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë vlerëson dhe nxit bashkëpunimin e ngushtë midis autoriteteve të Aviacionit Civil të Shqipërisë dhe Kosovës.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, Albcontrol dhe Agjencia e Shërbimeve të Navigimit Ajror e Kosovës, kanë nënshkruar sot në Prishtinë, një Marrëveshje për koordinimin e trafikut ajror midis Tiranës dhe Prishtinës. Marrëveshja është lidhur në kuadër të projektit “Mbledhja për Normalizimin e Aviacionit të Ballkanit” (BANM), të udhëhequr nga NATO.
Ky është një hap i rëndësishëm për normalizimin e hapësirës ajrore të Kosovës, pasi korridori i ri ajror do të shkurtojë me rreth 15 minuta fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” dhe si rrjedhojë do të rrisë përfitimet e udhëtarëve, do të ulë kostot operacionale të kompanive ajrore dhe emitimet e karbonit drejt një aviacioni më të gjelbërt.
Shqipëria, si vend i rajonit dhe anëtar i NATO-s ka dhënë kontributin e saj të vazhdueshëm në kuadër të projektit NATO BANM në normalizimin e hapësirës ajrore të Ballkanit, me theks të veçantë – hapësirës ajrore të Kosovës.
Nënshkrimi i Marrëveshjes midis Albcontrol dhe ASHNA do të pasohet me hapjen e korridorit ajror midis Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo Marrëveshje është negociuar nga grupet tona të ekspertëve në koordinim të ngushtë me NATO-n dhe me përkrahjen parezervë të Qeverisë Shqiptare.