Kryesore Marrëveshjet për muxhahedinët dhe roli i amerikanëve, sa persona strehohen në Shqipëri

Marrëveshjet për muxhahedinët dhe roli i amerikanëve, sa persona strehohen në Shqipëri

Në mars 2013, qeveria shqiptare iu përgjigj pozitivisht kërkesës amerikane për strehimin e personave për arsye humanitare për 210 individë të grupit MEK të cilët ndodheshin në kampin Liria në Irak. Këta muxhahedinë fituan statusin e refugjatit në Shqipëri të cilin e kanë siguruar nëpërmjet UNHCR-së, pas kërkesës së qeverisë amerikane.

Premtimi për strehimin e tyre u dha nga ish-kryeministri Sali Berisha si rezultat i bisedimeve disamujore mes Tiranës dhe Uashingtonit.

Në njoftimin e dhënë më 16 maji 2023 për mbërritjen e 14 muxhahedinëve të parë thuhet: “Qeveria shqiptare, nëpërmjet ministrisë së Brendshme ka marrë të gjitha masat për akomodimin dhe qëndrimin e sigurtë të këtyre personave në një nga Qendrat e Pritjes së Azilkërkuesve në Shqipëri”. Ardhja e këtij grupi shënon edhe fillimin e zbatimit të programit për strehimin e këtyre personave, të cilët gëzojnë statusin e refugjatit. Ata vijnë në Shqipëri nëpërmjet UNHCR, në përgjigje të kërkesës së qeverisë së SHBA, e cila ka edhe në mbikëqyrjen e kampit Ashraf në Irak.

Në shtator të vitit 2014, kryeministri Edi Rama u takua me Sekretarin e Shtetit John Kerry, në samitin e Uellsit të NATO-s, dhe diskutuan për strehimin e muxhahedinëve të tjerë. Në prill të vitit 2015, kjo çështje u ridiskutua përsëri në Washington mes Ministrit Bushati dhe Sekretarit Kerry.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, Shqipëria vazhdoi të strehonte muxhahedinë përtej 210 muxhahedinëve të pranuar nga ish-kryeministri Berisha.

Në fillim të vitit 2016, kryeministri Rama pranoi të strehojë të gjithë 1970 muxhahedinët e mbetur ende në Bagdad. Kjo marrëveshje u përfundua gjatë vizitës së Sekretarit të Shtetit John Kerry në Shqipëri në shkurt 2016.

Sot raportohet se në Shqipëri strehohen rreth 3 mijë muxhahedinë.

Qeveria amerikane u përpoq për disa vite të gjente vende që mund t’i strehonin muxhahedinët, por me përjashtim të Shqipërisë, vendet e tjera refuzuan për shkak të rrezikshmërisë që ata mund të paraqesin duke patur parasysh të shkuarën e tyre terroriste.