Marsela Çibukaj e mori vendimin për të ndryshuar regjimin ushqimor, ashtu papritur, gjatë një udhëtimi me miqtë në Egjipt, ku hasi vështirësi për të ndjekur hapin e të tjerëve gjatë lëvizjeve.
Në një intervistë për Living, me Zhaklin Lekatarin, Marsela u shpreh: ”Tashmë jam shndërruar në dietologe dhe njerëzit më pyesin më shumë si jam dobësuar sesa si është kënga”.
Për të përmirësuar shëndetin e saj, Marsela zgjodhi aktivitetin fizik dhe ndjekjen e një regjimi të rregullt ushqimor. Ajo nuk ha kurrë darkë pas orës 19:00; konsumon fruta, perime dhe proteina dhe ka shmangur ëmbëlsirat, alkoolin dhe pijet me gaz.
Nëse më parë abuzonte me ushqimin duke punuar në orët e vona të natës, sot Marsela konsumon arra, rrush të thatë, karota, kastravecë etj.
“Është e rëndësishme që njeriu të bëjë atë që ndjen, në momentin që e ndjen, dhe mbi të gjitha t’i bëjë për një arsye të vetme: shëndetin. Ndodh që trupi na jep sinjale, dhe ne duhet të duam veten dhe të kalojmë përtej vlerësimeve të bukurisë e cila nuk është meritë, por dhuratë. Duhet të pranojmë veten tonë, por nga ana tjetër duhet të kujdesemi edhe për shëndetin.”