Bashkim Fino, ish-kryeministër dhe deputet i PS-së, u nda nga jeta në moshën 59-vjeçare, pas komplikacioneve që pati nga infektimi me Covid-19.
Fino ka qenë kryeministër i qeverisjes së Pajtimit Kombëtar nga 12 Marsi deri në Korrik të vitit 1997, i emëruar nga presidenti i atëhershëm Sali Berisha.
Në vitin 2007, 10 vite pas emërimit të tij si kryeministër, Bashkim Fino publikoi librin “Humnerë ’97”, në të cilin përshkruan të gjithë kronologjinë e qeverisjes së tij.
Në të njëjtën datë dhe gati në të njëjtën orë që u emërua kryeministër, gazetari i Opinion, Blendi Fefziu, e mori në intervistë për të folur rreth librit të tij.
Z.Fino, si sot 10 vjet, në datën 12 Mars 1997, diku para mesnatës, presidenti Berisha ka firmosur krijimin e qeverisë së Pajtimit Kombëtar dhe emrin tuaj si Kryeministër i vendit. Pra bëhen ekzaktësisht 10 vjet, madje edhe në detaje, që nga koha që ju jeni bërë kryeministër i qeverisjes së Pajtimit Kombëtar. Tani keni një avantazh tjetër, pak ditë më parë ju kanë deklaruar si kandidat për president. Duket se Marsi është muaji juaj me fat…
Bashkim Fino: “Siç ka thënë një miku im që është Ilir Meta, vitet që janë me 7 qenkan me fat për Finon. Le ta quajmë edhe këtë në kuadrin e humorit gjithmonë, si një vit me fat. Por, un desha të kujtoja që më 12 Mars të 1997, 10 vite më parë, është dekretuar qeveria që unë drejtova për 5 muaj në ato momente shumë të vështira. Mbaj mend me shumë sinqeritet momentet se si rrodhën ngjarjet e asaj pasditeje, telefonatat e gjata të anëtarëve të kryesisë, të Rexhep Mejdanit në atë kohë që qe Sekretar i Përgjithshëm, apo edhe të të tjerëve dhe telefonatën e presidentit Sali Berisha të asaj kohe, në darkë vonë kur më konfirmoi firmosjen e emrit tim si kryeministër të qeverisë”.
Kush jua dha lajmin që ishit përzgjedhur për kryeministër dhe kush ju pyeti a do ta bënit këtë detyrë?
Bashkim Fino: “Mbaj mend pasdite kam qenë në shtëpi, ka rënë telefoni dhe telefonin e ka ngritur gruaja ime Diana. Ka dalë Namik Dokle në telefon, natyrisht interesimi i madh i gjithë Shqipërisë, por në mënyrë të veçantë i pjesës së jugut ku kishin shpërthyer depot e armëve, ku nuk kishte komisariat, ku njerëzit ishin të gjithë të armatosur”.
Nëse do jeni në të njëjtat kushte, por me eksperiencën që keni në politikë, do t’i thonit sërish PO një propozimi të tillë?
Bashkim Fino: “Besoj se jo. Për një arsye të thjeshtë që shpresoj dhe uroj që asnjëherë të mos ndodhë më në Shqipëri ashtu”.
Marsi ishte muaji që shënoi disa nga momentet më të rëndësishme në karrierën e Bashkim Finos, por edhe muaji që e mori atë përgjithmonë nga kjo jetë.