Martin Çeço, 26-vjeçari që u gjet i vdekur në muajin Qershor në rezervuarin e fshatit Kolanec të Maliqit, mund të jetë vrarë për çështje droge. Banorët e fshatit, gjatë intervistave që kanë dhënë për emisionin Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus, kanë thënë se nuk e besojnë që Martini të jetë vrarë pas sherrit për një vajzë.
Njëri prej banorët thotë për Uniko se Martin Çeço kishte zbuluar aksidentalisht një parcelë kanabisi teksa po priste dru në mal. Sipas tij, Martini kishte marrë kërcënime nga kultivuesit e parcelës së drogës, të cilët më pas e vranë.
“Ai shkonte bënte dru, ata të drogës e vranë. Të femrës janë të tëra llafe ato. Hynë mushkat, e zbuluan pa dashje. S’donin ta zbulonin, ishte shumë grup i madh, 90 veta. Drutë e morën në qafë atë, asgjë tjetër”, thotë njëri nga banorët e fshatit.
Spartak Koka: Sa kohë para e konstatoi?
Banori i fshatit: Kishte gati 1 muaj.
Spartak Koka: Po ata e kërcënonin?
Banori i fshatit: E kërcënonin, do të vrasim… Mos eja më këtej, zhduku fare i kishin thënë. Zhdukur nga Shqipëria. Të zhduket që mos të ishte më këtu.
Spartak Koka: Po kaq të fuqishëm janë për të kërcënuar e vrarë njerëz?
Banori i fshatit: Të fuqishëm, të pushtetshëm.
Spartak Koka: Po pse u tha për një lidhje dashurie?
Banori i fshatit: Për të humbur gjurmët.
Spartak Koka: E lidhte ndonjë gjë me kultivimin Martinin?
Banori i fshatit: Jo, asgjë nuk e lidhte vetëm që i ra ballë përballë, asgjë tjetër.
Spartak Koka: Martini donte t’i denonconte në polici?
Banori i fshatit: Donte njëherë ai, po pastaj u prapësua. Kishte frikë. E kërcënuan ata.
Spartak Koka: Ka vajtur në polici Martini?
Banori i fshatit: Jo. Kishte frikë. Vajti deri në Maliq dhe u kthye prapë.
Deri tani policia ka deklaruar se Martin Çeço u vra pas sherrit për një vajzë dhe ka arrestuar 3 persona si të dyshuar, të cilët akuzohen se e mbytën 26-vjeçarin dhe trupin ia hodhën në rezervuarin e fshatit Kolanec të Maliqit. Sa për variantin e drogës siç deklarojnë banorët e Kolanecit, policia nuk ka hetuar në këtë pistë, ose të paktën nuk ka deklaruar asgjë zyrtarisht.