Giovanni Martusciello ka zënë vendin e Maurizio Sarrit gjatë bashkëbisedimit të zakonshëm me gazetarët, ditën e sotme. Zv.trajneri i Juventusit ka shpalosur idetë e tij për sfidën kundër Napolit, që do të luhet nesër në mbrëmje, në “Allianz Stadium”: “Ne jemi kuriozë të shohim sesi ekipi do të përgjigjet nesër, përpara tifozëve tanë, në një ndeshje të rëndësishme si ajo kundër Napolit. Jemi shumë të karikuar.
Situata individuale e Higuain dhe Paulo Dybala? Gonzalo bëri një përshtypje të shkëlqyer për mua në ndeshjen ndaj Parmës. Karakteristikë e tij është ajo e të vepruarit si finalizues i aksioneve, por po punon shumë edhe jashtë zonës së penalltisë. Është një lojtar i fortë dhe një kampion absolut. Ai e njeh mekanizmin e lojës sonë, pasi luajti në të kaluarën me Napolin. Dybala, megjithë thashethemet e merkatos, është shumë i përqendruar. Sigurisht, ai mund të jetë mërzitur nga qëndrimi në stol ndaj Parmës. Megjithatë, gjatë kësaj jave stërvitore e kam parë shumë mirë. Ai është një profesionist i shkëlqyer.
A ndikon merkatoja në zgjedhjet tona? Padyshim që kjo situatë ka ndikimin e vet. Ka lojtarë që stërviten në skuadrën tonë, por nuk e kanë kokën të qartë për t’u përballur me një sfidë si ajo e mbrëmjes së nesërme. Janë në pritje të mësimit të së ardhmes së tyre dhe kjo gjë duket normale. Do të shohim në stërvitjen e fundit se cilët janë plotësisht gati për sfidën kundër Napolit.
Situata e Sarrit? Ai ka qenë gjithmonë i pranishëm në “Continassa”, por pa marrë pjesë në seancat e trajnimit. Duhet të kryejë testet mjekësore dhe do të shohim nëse mund të jetë në stol nesër. Situata e Ramsey? Është më mirë, po ngjit një mal… Sidoqoftë, ne do të duhet ta çmojmë më të mirë pas pushimit (ndeshjeve të kombëtareve)”.