Politika Masa ndaj Sali Berishës, Bylykbashi: SPAK po shkel Kushtetutën

Masa ndaj Sali Berishës, Bylykbashi: SPAK po shkel Kushtetutën

Nënkryetari i Rithemelimit, Oerd Bylykbashi e cilësoi si shkelje të Kushtetutës dhënien e masës së sigurisë ndaj Sali Berishës dhe kufizimin e lirisë së tij për të dalë jashtë vendit.

Sipas Bylykbashit, akuzat kanë një sfond të pastër politik, pasi vendosja e një mase të tillë në fillim duhet të kishte autorizimin e Kuvendit.

“Pas akteve qartazi me një sfond politik nga një instrument gjoja i drejtësisë së re, i ngritur dhe i akuzuar që në fillimet kur është ndërtuar se po ndërtohet për t’u kapur dhe përdorur politikisht, pas asaj, në shkelje flagrante të Kushtetutës, SPAK dërgon Policinë e Shtetit, e cila në fakt është organ i zbatimit të ligjit dhe jo i urdhrave politikë të Edi Ramës, dërgon Policinë e Shtetit duke kërkuar ekzekutimin e një mase që kufizon lirinë e një deputeti të republikës, zotit Sali Berisha, deputet i Parlamentit të Shqipërisë, kryetar i PD.

Kufizon lirinë e tij në kundërshtim me Kushtetutën. Tashmë është praktikë e konsoliduar e parlamentit të Shqipërisë se prokuroria duhet të kërkojë leje nga Kuvendi, i cili duhet të japë autorizimin jo vetëm për arrestin, por dhe çdo lloj mase tjetër kufizimi të lirisë të çdo shtetasi shqiptar, që është deputet.

Neni 38 i Kushtetutës përcakton lirinë absolute, të cenueshme vetëm nëpërmjet një vendimi gjykate, të shtetasve shqiptare, të lëvizin të lirë në çdo pjesë të territorit të Shqipërisë.

Urdhri për detyrim paraqitje të deputetit Sali Berisha kufizon pikërisht këtë liri kushtetuese.

Po ashtu me kërkesën e SPAK dhe vendim të gjykatës, në shkelje të Kushtetutës, përsëri kufizohet një e drejtë tjetër kushtetuese. Përsëri në nenin 28, është e drejta e çdo shtetasi që lirisht të dalë nga territori i Shqipërisë.

Sigurisht nëse do kishim një vendim gjykate për një shtetas të zakonshëm, kjo do ishte e mjaftueshme, por nenin 73 i Kushtetutës, detyron që në rast të arrestit apo të çdo lloj kufizimi në çdo formë të lirisë së një deputeti, duhet të kërkohet paraprakisht miratimi i parlamentit”, tha nënkryetari Bylykbashi.