Një burrë i armatosur ka vrarë 10 persona në Los Angeles (SHBA), pranë një vendi ku sapo kishin përfunduar festimet e Vitit të Ri Kinez.
Ngjarja ndodhi të shtunën, në orën 22:22 me orën lokale, në Monterey Park, ku banojnë rreth 60 000 persona.
Në Monterey Park jeton një nga komunitetet më të mëdha aziatike të Los Angeles.
Për “Los Angeles Times”, një dëshmitare tha se ishte në tualetin e një diskoje kur nisën të shtënat: “Kur dola, pashë dikë me armë në dorë dhe 3 trupa të shtrirë në tokë. Njëri prej tyre ishte pronari i lokalit”.
Policia është vënë në kërkim të personit të dyshuar për ngjarjen dhe autoritetet nuk kanë ende informacion rreth motiveve të këtij sulmi.
Dhjetë persona të tjerë u dërguan në spital për t’u trajtuar për lëndime, të paktën një prej tyre është në gjendje kritike për jetën.
Mijëra njerëz morën pjesë në festimet e zhvilluara më herët gjatë ditës. Qyteti i Monterey Park-ut ndodhet rreth 11 kilometra nga qendra e Los Anxhelosit.