Një person i armatosur ka hapur zjarr në një supermarket në Walmart, duke vrarë 10 persona në Chesapeake, në shtetin amerikan të Virxhinias. Sipas policisë, ai besohet të jetë menaxheri i dyqanit, i cili më pas vrau veten.
Ende nuk dihen motivet e sulmit me armë, ndërkohë që senatorja e shtetit të Virxhinias, Louise Lucas, tha se ishte “absolutisht zemërthyer” dhe e përshkroi ngjarjen si “të shtënat masive të fundit në Amerikë”. “Nuk do të pushoj derisa të gjejmë zgjidhjet për t’i dhënë fund kësaj epidemie të dhunës me armë në vendin tonë”, shkroi ajo në Twitter.
Sulmi i së martës në mbrëmje vjen vetëm disa ditë pasi një person i armatosur hapi zjarr në një klub nate LGBT në shtetin amerikan të Kolorados, duke vrarë pesë persona dhe duke plagosur 17 të tjerë. Në vitin 2019, të shtënat masive në një supermarket Walmart në qytetin e El Paso në Teksas lanë 23 të vdekur.