10 ditë nga masakra e Don Boskos, policia vijon punën për zbardhjen e saj. Siç pohon edhe kreu i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, autoritetet kanë arritur të sigurojnë edhe informacione për persona konkretë të përfshirë në këtë ngjarje të rëndë.
“Policia ka informacione edhe për persona konkretë të përfshirë në këtë ngjarje, por për shkak të sekretit hetimor nuk mund të japim detaje në këto momente”, tha Vocaj, kur u pyet nga gazetarët për ngjarjen e 12 Marsit, ku nga breshëria e plumbave drejt një lokali në zonën e Don Boskos, mbeti e vrarë 58-vjeçarja Mimoza Paja dhe u plagosën 5 persona të tjerë.
Pyetje: Lidhur me ngjarjen e 12 Marsit, ngjarje e rëndë kriminale me pasojë vdekjen e një shtetase dhe plagosjen e disa të tjerëve. Si po ecin veprimet në këtë drejtim?
Tonin Vocaj: Lidhur me ngjarjen që ju pyesni pa ndërprerë, vazhdon të funksionojë një grup i dedikuar hetimor nën drejtimin e prokurorit. Është një hetim që do të marrë kohën e nevojshme për t’u zhvilluar. Policia ka informacione edhe për persona konkretë të përfshirë në këtë ngjarje. Për shkak të sekretit hetimor nuk mund të japim detaje në këto momente, por për çdo rast që do të kemi përparime themelore në këtë hetim do t’ua bëjmë të ditura mediave dhe publikut.