Kur nuk kishin kaluar ende 48 orë nga masakra që ndodhi në një shkollë fillore në Serbi ku një 14 vjeçar vrau 9 persona, Beogradi është tronditur nga një tjetër ngjarje tragjike. Agresori në foto i identifikuar me emrin Uros Blaziç vrau tetë persona dhe plagosi 14 të tjerë në afërsi të fshatrave Mlladenovc dhe Dubonë.
Uros Blaziç nisi të qëllonte mbi një turmë njerëzish me armë automatike pas një debati me një oficer policie në një park në Dubonë mbrëmjen e së Enjtes. Viktima thuhet se kanë mbetur edhe oficeri i policisë dhe motra e tij. Më pas 21 vjeçari thuhet se ka vijuar të qëllojë edhe njerëz të tjerë nga makina e tij.
Ky është momenti ku pas disa orësh kërkime 600 anëtarë të forcave speciale dhe njësitë e antiterrorist arritën që të vendosnin në pranga 21 vjeçarin i cili menjëherë pas ngjarjes së rëndë u arratis jo shumë larg Kragujevcit. Banorët shprehen se qëndruan në shtëpitë e tyre nga paniku se agresori mund të vriste edhe të tjerë persona.
“Ai qëlloi njerëzit në fshatin Malo Orašje. Është një vend afër kishës dhe shkollës ku mblidhen një numër i madh njerëzish dhe fëmijë. Ai qëlloi nga Mercedesi i tij dhe vazhdoi rrugën për në fshatin Šepshin”, u shpreh njëri prej fshatarëve të zonës.
“Pa koment. Kjo është e trishtueshme, polici i ri është në moshën e vajzës sime. Nuk di çfarë të them. Jam e shokuar. Nuk kemi mundur të flemë gjithë natën, kemi qenë në një panik total.”
“Kjo është e tmerrshme për shtetin tonë, kjo është një humbje e madhe, për fat të keq. Në dy ditë kaq shumë fëmijë të vrarë, kjo nuk është gjë e mirë.”
Ndërkaq situata mbetet kritike për dy persona të lënduar të moshës 21 dhe 23 vjeç gjendja e të cilëve vijon të jetë e rëndë dhe ndodhen në terapi intensive. Ministri i Brendshëm Bratislav Gashiç e cilësoi ngjarjen si akt terrorist .
Nga ana tjetër dy ditë pas masakrës në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar”, ku mbetën të vrarë roja dhe tetë nxënës, policia ka marrë 25 denoncime. Në raporte thuhet se disa studentë po imitojnë Kosta Keçmanoviçin, i cili vrau nëntë persona dhe plagosi shtatë.
Fëmijët simulojnë të shtënat, vrasjet, bëjnë lista me emrat e fëmijëve që supozohet se do të vrasin. Serbia ka shpallur tre ditë zie për masakrën. Të shtënat masive janë relativisht të rralla në Serbi, e cila ka ligje shumë të rrepta për armët. Megjithatë Serbia njihet si një nga shtet në Evropë që ka lejuar më shumë përdorimin e armëve nga civilët.