Aktualitet Masakra me 6 vrarë të Athinë, reagon Ministria e Brendshme: Viktimat nuk...

Masakra me 6 vrarë të Athinë, reagon Ministria e Brendshme: Viktimat nuk janë shqiptarë, por turq

Ministria e Brendshme shqiptare, në një reagim për mediat sa i takon masakrës me 6 të vrarë në Athinë thotë se nga informacionet paraprake nga autoritetet fqinje rezulton se viktimat nuk janë shqiptarë, por turq.

“Zyra e Ministrit të Brendshëm ka ndjekur prej momentit të parë ngjarjen në Greqi dhe nga informacioni paraprak nga autoritetet greke jemi informuar se viktimat kanë shtetësi turke me karta identiteti të një vendi të BE”.

Edhe “Kathimerini”, një nga mediat më serioze në vend shkruan se të vrarët janë me kombësi turke. Mediat helene që u referohen hetimeve nga policia shkruajnë se ata mbanin karta identiteti franceze.

Kjo ka bërë edhe më të vështirë identifikimin e viktimave. Autoritetet kanë kërkuar kryerjen e një analize ADN-je ndërsa po punohet edhe me gjurmët e gishtërinjve. Edhe targat gjermane të makinës së viktimave dyshohet se janë të falsifikuara. Hetuesit janë duke punuar për identifikimin e autorëve që besohet se janë larguar me një motor dhe një automjet Ford të zi.

Sipas të dhënave të mbledhura nga vendi i krimit, viktimat kanë qenë të paarmatosur. Autorët kanë hequr sende nga automjeti i viktimave, por nuk dihet se çfarë ka qenë. Autorët kanë qëlluar më shumë se 20-25 herë në drejtim të 6 pasagjerëve të mjetit me pistoletë 9 mm.

5 nga viktimat u gjetën brenda në makinë ndërsa shoferi ishte jashtë saj. Policia greke është duke punuar me homologët gjermanë dhe Interpolin. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:30 dhe policia u njoftua nga banorët e zonës që dëgjuan krismat.