Pas ngjarjes tragjike kur një 14-vjeçar vrau 4 persona në një shkollë në Georgia, autoritetet amerikane kanë vendosur në pranga babain e tij.
Colin Grey, 54 vjeç, po përballet me katër akuza për vrasje të pavullnetshme, dy akuza për vrasje të shkallës së dytë. Byroja e Hetimit në SHBA bëri të ditur se këto akuza lidhen drejtpërdrejt me veprimet e djalit të tij dhe lejimin nga ana e prindërve që 14-vjeçari të mbante armë.
Autoritetet po hetojnë nëse Colin Grey e bleu armën si dhuratë për djalin e tij në dhjetor 2023. Në maj 2023, FBI njoftoi policinë lokale për kërcënimet në internet, pasi dyshohej se 14-vjeçari kishte postuar në rrjetet sociale foto të armëve, por një gjë të tillë ai e ka mohuar. Zyrtarët thonë se kërcënimet janë bërë në Discord, një platformë e mediave që përmbante imazhe të armëve.
Autoritetet kanë akuzuar djalin e tij, Colt Grey, me katër akuza për vrasje dhe thanë se planifikojnë ta ndjekin penalisht atë si një i rritur. Dëshmitarët thanë se i dyshuari la orën e mësimit të mërkurën në mëngjes vetëm për t’u kthyer më vonë në klasë.
Disa studentë kanë shkuar për të hapur derën e mbyllur, por kanë parë armën dhe janë larguar. Dëshmitarët thanë se më pas dëgjuan një breshëri prej 10-15 të shtëna.
Arrestimi i babait të 14-vjeçarit rikthen në vëmendje rastin e dy prindërve të një adoleshenti nga Miçigani, i cili vrau katër studentë me një armë që i blenë vetëm disa ditë para të shtënave, u dënuan për rolin e tyre në sulm.
James dhe Jennifer Crumbley u shpallën fajtorë për vrasje nga pakujdesia dhe secili u dënua me nga 10 deri në 15 vjet burg.