Aktualitet Masakra në Velipojë: Arrestohen dy të plagosurit, në kërkim tre vëllezërit Verracaku

Masakra në Velipojë: Arrestohen dy të plagosurit, në kërkim tre vëllezërit Verracaku

Forcat e rendit kanë arrestuar në flagrancë dy nga të plagosurit e ngjarjes së rëndë të ndodhur  gjatë natës së djeshme në Velipojë, ku si pasojë e një konflikti u vranë 4 persona.

Bëhet fjalë për Hasan Ferracakun, 54 vjeç, lindur në fshatin Trush dhe banues në fshatin Pulaj, Velipojë, si dhe nipi i tij shtetasi Elmilind Dyli, 17 vjeç, lindur e banues në fshatin Guri i Zi, bashkia Shkodër.

Dy shtetasit  të cilët ndodhen në Spitalin e Traumës në Tiranë, janë të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”,  e kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu janë shpallur në kërkim tre vëllezërit, Abedin Verracaku, Shyqyri Verracaku dhe Besar Verrracaku, banues në fshatin Pulaj, Velipojë, bashkia Shkodër, të dyshuar si bashkautorë në këtë ngjarje, për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, në bashkëpunim.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy armë zjarri pistoleta, njëra prej të cilave u gjet në vendngjarje, ndërsa tjetra u gjet gjatë kontrollit në hotelin e familjes Gocaj.