Kulturë Masakra që ndryshoi Hollivudin

Masakra që ndryshoi Hollivudin

Nga Norbert Koerzdoerfer, BILD

Ishte nata kur vdiq Hollivudi i artë…

9 gusht 1969- pikërisht përpara 50 vitesh- në një vilë me qira në Cielo Drive: Tre vrasës të droguar të sektit Manson masakruan yllin Sharon Tate. 26-vjeçarja ishte në muajt e fundit të shtatzënisë. Ata e qëlluan 16 herë me thikë dhe vranë edhe katër miq të shtëpisë. Pas masakrës, vrasësit shkruajtën mbi derë me gjakun e saj fjalën: PIG (derr). Burri i saj, gjeniu i regjisurës, Roman Polanski (asokohe 35 vjeç), ishte në Londër.

Masakra e Hollivudit shokoi botën. Ishte fundi i viteve të lira ’60, një javë përpara Woodstock-ut. Manson ishte djalli që vrau fëmijët e ‘Flower Power’. Ndjenja e lirisë e festave të çmendura ishte tronditur. Ajo që mbeti ishte frika nga ‘Familja Manson’ një komunitet me hipi të etur pas vrasjeve nën efektin e drogës.

***

Regjisori-kult, Quentin Tarantino (56 vjeç) e ka shndërruar tragjedinë në skenarin e filmit të tij gjenial “Once Upon A Time In Hollywood” (në kinema duke nisur nga 15 gushti). Brad Pitt, 55 vjeç: “Kjo vrasje e ka ndryshuar Hollivudin në atë kohë siç po bën sot debati MeToo”.

Regjisori Roman Polanski (85 vjeç) nuk e ka parë ende filmin. Ai është në Francë, jeton aty nga frika e ekstradimit në SHBA ku akuzohet për përdhunim. Ai ia dedikoi Sharon Tate filmin e dashurisë ‘Tess’ në vitin 1979 me aktoren Nastassja Kinski.

***

Po kush ishte ikona e vrarë, Sharon Tate?

Ajo ishte princesha në pritje e Hollivudit. Sytë e mëdhenj kafe, buzëqeshje verbuese, këmbët deri në qafë. Një shprehje që e përdorte vazhdimisht: Të jesh seksi është të jesh normale.

Në filmin kult “Kërcimi i vampirëve” në vitin 1967, ajo u njoh me gjeniun Polanski. Sharon: “Unë jam nga këto tipat irracionalë, që i dua burrat. Roman është një njeri i mrekullueshëm, i çmendur. Kjo dashuri e bën jetën dy herë më interesante”.

Tate ishte teksane e rritur në Itali. Ajo e fitoi konkursin e parë të bukurisë kur ishte vetëm 6 muajshe.

Miqtë e saj në Hollivud ishin Warren Beatty, Elke Sommer, Dean Martin. Filmi i saj më i famshëm mbetet “Lugina e kukullave”. Ëndrra e saj: Dua të bëhem Catherine Deneuve e Amerikës.

***

Motivi i saktë i masakrës mbetet ende i paqartë. Dy prej vrasësve të saj po vuajnë akoma dënimin e tyre. Vrasësja e Tate, Susan Atkins vdiq në vitin 2009, kurse bisha e sektit, Charles Manson ndërroi jetë në vitin 2017 në burg në moshën 83-vjeçare.

Filozofia e jetës së Sharon? “Unë nuk planifikoj asgjë”.

Fëmija e saj i palindur ishte djalë- ai do quhej Paul Richard Polanski. Emri i tij është mbi gurin e saj të varrit në Hollivud.