Është vënë në pranga vrasësi i 82 vjeçarit Paulin Gina në Durrës. 39-vjeçari Fation Janina masakroi me thikë e çekiç të moshuarin, brenda banesës së këtij të fundit. Më pas, fshehu armët e krimit në apartamentin e tij, të cilat janë sekuestruar nga Policia.
Ngjarja e rëndë u zbardh mëngjesin e sotëm nga Policia, ndërkohë që krimi u raportua mbrëmjen e djeshme rreth orës 18:50. Ende nuk dihen më shumë detaje rreth dinamikës së vrasjes, ndërsa dyshohet se ka ndodhur për motive të dobëta.
“Pas kontrolleve të shumta dhe ndërmjetësimit me vëllait e autorit të dyshuar të vrasjes së 82-vjeçarit, ngjarje e ndodhur ditën e djeshme, në lagjen nr. 16, vë në pranga për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, 39-vjeçarin F. J. Ky shtetas, dyshohet se më datë 30.12.2024, ka vrarë me thikë dhe me çekiç, për motive të dobëta, 82-vjeçarin P. G., në banesën e tij, në lagjen nr.16. Pas kryerjes së krimit, autori ka mbyllur me çelës derën e banesës së viktimës dhe ka fshehur mjetet e krimit, të cilat u gjetën në banesën e autorit dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të ngjarjes”, njofton Policia e Durrësit.