E shqetësuar nga situata emergjente në Italinë fqinje, Greqia ka marrë një sërë masash për shpërthimin e një epidemie të mundshme nga përhapja e koronavirusit.
Pas zbulimit të rastit të parë më koronavirus në një spital në Selanik, Greqia po përgatitet për mbylljen e shkollave dhe ndërtimin e karantinave për çdo rajon. Qeveria e vendit fqinj ka kaluar të martën një akt normativ për t’u përgatitur për një epidemi të mundshme.
Ministri grek i Shëndetësisë, Vassilis Kikilias, bëri publike masat që Greqia do të merrte në rast të një shpërthimi të një epidemie, përfshirë mbylljen e hapësirave publike, institucioneve shtetërore dhe arsimore, kishave, teatrove, kinemave, stadiumeve, apo qendrave tregtare.
Masat e kaluara me një akt legjislativ, përfshijnë ndalime të përkohshme të udhëtimit drejt vendeve ku ka shpërthyet epidemia dhe i mundësojnë qeverisë të marrë shtretër nga hotelet dhe klinikat private për të izoluar të infektuarit.
Sipas gazetës greke “Ekathimerini”, shtretërit e marrë nga bizneset private do të përdoren për izolimin e pacientëve, pasi spitalet greke nuk kanë kapacitetet për të vendosur në karantinë një numër të madh qytetarësh.
Po ashtu, Greqia ka paralajmëruar se do të vendosë kufizime për udhëtimin drejt Italisë, duke ndaluar fluturimet drejt Veriut të Italisë. Sipas zëdhënësit të qeverisë Stelios Petsas, akti legjislativ përbëhet nga pesë nene kyçe.
E para i mundëson qeverisë të vendosë kontrolle parandaluese në pikat hyrëse dhe dalëse të vendit, dhe gjithashtu të kufizojë përkohësisht lidhjet ajrore, detare, hekurudhore ose rrugore me vendet ku ekziston një përhapje e lartë e virusit.