Komiteti Teknik i Ekspertëve u mblodh paraditen e sotme për të prezantuar masat e reja anti-COVID.
Kryetarja e Komitetit, Mira Rakacolli bëri me dije se nisur nga situata e qëndrueshme epidemiologjik, komiteti vendosi që duke nisur nga data 1 qershor hiqet detyrimi për mbajtjen e maskës në ambientet e jashtme, por do vijojë të përdoret në ambientet e brendshme dhe në transportin publik, ndërkohë që ora policore shtyhet deri në orën 23:00.
“Ora policore shtyhet nga ora 22:00-06:00 në 23:00-06:00. Klubet dhe diskot do vazhdojnë të jenë të mbyllura dhe muzika do vijojë deri në orën 22:00. Nëse situata vijon e qëndrueshme, duke nisur nga 1 korriku ora policore do të shtyhet deri në orën 00:00-06:00”, tha znj. Rakacolli.
Masat që lehtësohen
Nga 1 qershori:
Hiqet detyrimi për mbajtjen e barrierës mbrojtëse në ambientet e jashtme. Do vijoje të mbetet detyrimi i mbajtjes së maskës në ambientet e mbyllura si dhe në mjetet e transportit publik.
Ora policore shtyhet në orën 23:00 -06:00.
Klubet e natës, diskot, vijojnë të mbeten të mbyllura. Muzika do lejohet deri në orën 22:00.
Nga 15 qershori:
Grumbullimet në ambientet e jashtme nga 10 persona bëhen 50 persona, duke respektuar rregullat e distancës sociale në zbatim të protokolleve të ISHP.
Nga 1 korriku:
Ora policore shtyhet në orën 24.00 -06:00.
Orari për muzikën nuk ndryshon, pra do mbetet ora 22:00.
Lejohen kampionatet sportive me prezencë të tifozëve me kapacitete te reduktuara deri ne 30% sipas protokollit te ISHP.
Lejohen aktivitetet e teatrove, shfaqjeve artistike dhe kulturore, konferencave, me kapacitet të reduktuar deri në 30% të spektatorëve apo pjesëmarrësve, sipas protokolleve të ISHP.