Në kuadër të festave të fundvitit, Policia e Shtetit, me qëllim krijimin e një mjedisi të sigurt për qytetarët, ka marrë një sërë masash shtesë për të siguruar mbarëvajtjen e Festës së Krishtlindjes, të natës së ndërrimit të viteve dhe gjatë ditëve të para të Vitit të Ri 2020.
Në një deklaratë për mediat Drejtori i Drejtorisë së Rendit Publik, Albert Dervishaj, bëri të ditur se të gjitha strukturat e Policisë do të kalojnë në gatishmëri “Shërbim të përforcuar”.
Për këtë qëllim, Policia e Shtetit ka hartuar planet e masave në nivel qendror dhe atë vendor, në të cilat janë përcaktuar objektivat dhe detyrimet për strukturat e saj, nëpërmjet të cilave synohet:
– Rritja e sigurisë së jetës dhe pronës duke rritur prezencën policore në të gjithë territorin, për faktin se në raste festash kemi rritje të numrit të qytetarëve të cilët kthehen pranë familjeve të tyre për të festuar festat e fundvitit;
– Sigurimi në kohë i informacioneve për parandalimin e ngjarjeve kriminale, evidentimi dhe mbajtja nën kontroll e personave me precedent kriminal dhe penal, sidomos e atyre personave që kthehen për të festuar festat, identifikimi dhe mbajtja nën vëzhgim e automjeteve që përdorin apo ambienteve që frekuentojnë, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale.
– Rritja e efikasitetit të shërbimeve të Policisë në njohjen e situatës operative kriminale, nëpërmjet bashkërendimit dhe bashkëveprimit efektiv të strukturave, me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit brenda dhe jashtë vendit;Monitorimi i qarkullimit të automjeteve, duke shtuar prezencën policore në të gjitha akset rrugore dhe në sheshet kryesore, në përdorimin e mjeteve logjistike si radarë e dragera, në funksion të parandalimit të aksidenteve rrugore;
– Krijimi i lehtësirave ligjore në pikat e kalimit të kontrollit kufitar duke shtuar burimet njerëzore dhe infrastrukturën, si dhe aplikimin e kontrolleve të lehtësuara kufitare, me qëllim shmangien e radhëve të gjata dhe në rast fluksi;
Këto masa do të synojnë shtimin e kontrollit të automjeteve në bazë të analizave të riskut, me qëllim parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme, kryesisht të lëndëve narkotike, në shtimin e patrullave në kufirin e gjelbër, si dhe në bashkëpunimin dhe bashkërendimin e veprimeve me homologët kufitarë në interes të lëvizjes së lirë dhe në kohë, si dhe të parandalimit e goditjes së paligjshmërisë.
– Shtimi i kontrolleve ndaj subjekteve që tregtojnë fishekzjarrë, duke bashkëpunuar me strukturat e tjera ligjzbatuese.