Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq një shtetas izraelit dhe 38 shqiptarë, të akuzuar për mashtrim kompjuterik dhe pastrim parash. Procedimi penal për këtë çështje ka nisur në vitin 2021.
“Hetimi 3-vjeçar i kryer me metoda special, u realizua në bashkëpunim me shërbimet partnere te vendeve europiane dhe dëmi i shkaktuar kap vlerën mbi 2 milionë Euro.
Hetimi u iniciua në bashkëpunim me autoritetet gjermane të Braunscweig për mashtrim kompjuterik për arsye përfitimit me anë të platformave fictive “CFD-Tradingplattform” dhe “FX-Leader” etj.
Gjatë hetimit u vërtetuan se transferta në vlera të larta monetare u kryen drejt një qëndre thirrjesh (call center) me emërtimin “Capital SHPK 1001” me adresë Rruga Him Kolli në Tiranë, ku vetëm në një rast u transferuan gjithsej 254.990.00 Euro në llogari të ndryshme të platformës “fx-leader.com”.
Të gjitha transfertat e kësaj skeme, u nxitën nga autorët e kësaj vepre penale të konsideronin investimin e pasurive të tyre në një mënyrë fitimprurëse, ndër të tjera përmes reklamave në internet dhe në rrjetet sociale.
Si funksiononte skema e mashtrimit
Sapo viktima regjistrohej në platformën e mashtrimit me emër, mbiemër, email dhe numrin e telefonit, autorët i kontaktonin menjëherë në telefon dhe krijohej një lidhje besimi me “klientin” e pretenduar.
Fillimisht viktimat tundohen të investojnë në sasi të vogla me premtimin se ndërmjetësi (broker) i pretenduar i faqes së investimeve, do të realizonte një fitim të madh me investimin e aksioneve dhe kripto valutave.
Faqja e internetit “fx-leader.com” merrej në mënyrë fiktive me biznes në fushën e trasanksioneve financiare me të ashtuquajtura opsione binare. Për këtë qëllim krijoheshin posaçërisht qëndra thirrje (call center), me anë të të cilave “klientet” kontaktoheshin nga një konsulent financiar personal, për t’i joshur që të bëjnë investime të larta.
Të gjitha fitimet dhe humbjet stimuloheshin virtualisht. Një algoritëm përkatës bënte që fitimet e fillimit t’i shtynin pjesëmarrësit për të investuar shuma të mëdha parash. Në momentin që personi i prekur kërkonte që të merrte fitimet e tij apo depozitat, kjo gjë nuk mundësohej. Sipas qëllimit fillestar, sistemi ishte i ndërtuar në formë të tillë që t’i mbante varur personat e prekur deri sa t’u merrej mjaftueshëm para në mënyrë të paligjshme, dhe më pas faqet mbylleshin.
Nga hetimet u arrit të dokumentohej e gjithë veprimtaria e paligjshme kriminale duke evidentuar edhe mënyrën e operimit të kësaj qendre ku janë konstatuar llogari përdoruesi në serverat https://www.paypal.com dhe https://www.coinbase.com servera të cilët shërbejnë për të krijuar dhe menaxhuar një profil/llogari online me qëllim kryerjen e transfertave të ndryshme në valuta të ndryshme drejt profileve/llogarive të tjera online, në aplikacionin ‘’TradingView’’ që shërben për analizimin e ideve tregtare në tregjet globale, ne aplikacionin Binance dhe Coinbase i cili është portofol kriptomonedhash, në serverat https://www.binance.com dhe https://www.coinbase.com, në aplikacionin ‘Crypto.com’ i cili shërben si një portofol ku mund të tregtohen kriptovaluta të ndryshme.
Gjithashtu u sekuestruan skedarë me dokumente në formatin excel të cilat përmbajnë lista emërore, kontakte (email, nr telefoni) të shtetasve të huaj dhe që përdoren për t’i telefonuar dhe joshur për investime fiktive.
Skema e mashtrimit drejtohej nga shtetasi izraelit R.G., dhe një grup punonjësish.
Gjithashtu u përpiluan 12 letër pororsi në vende të ndryshme të Europës dhe prej tyre me interes për hetimin është ajo e ardhur nga Republika Çeke ku nga deklarimet e marra shtetasve çekë të cilët dyshohet se janë kontaktuar nga subjekti RG Capital, veçojmë ate të shtetasit çek J.L. i cili ka deklaruar se ai në periudhën Janar-Shkurt 2021 është kontaktuar në telefon nga ndërmjetës financiar të cilët e kanë udhëzuar të bëjë investime në bitcoin dhe pas investimeve të bëra nga ana e tij në një shumë prej 285.000 CZK. Pas kësaj ndërmjetësi financiar i ka ndërprerë komunikimet me të dhe shtetasi çek J.L. nuk i ka marrë paratë e investuara në BTC.
Pastrimi i këtyre vlerave monetare është kryer nëpërmjet transfertave fiktive me fatura fiktive në banka të shteteve si Lituania, India, Singapori, Hungari, Estoni, Maltë etj., vende që janë me risk për aktivitetin e pastrimit të parave nëpërmjet sistemit bankar të tyre.
Për këtë arsye u vunë para përgjegjësisë penale shtetasi izraelit R.G., me shtetësi dhe kombësi izraelite, për kryerjen e veprës penale të “Mashtrim kompjuterik”, kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale“, si dhe 38 shtetas shqiptarë për “Mashtrim kompjuterik”, kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë”, njofton Prokuroria e Tiranës.