Policia e Shkodrës ka vënë në pranga 8 persona dhe 3 të tjerë i ka shpallur në kërkim, pasi akuzohen se kishin krijuar një skemë mashtrimi me ‘call center’.
Në kuadër të operacionit “North Forex”, është bërë arrestimi në flagrancë i 8 personave: Elisa Kolndreu, 22 vjeçe, Olda Shpendi, 20 vjeçe, Aishe Baci, 30 vjeçe, Senada Alija, 21 vjeçe, Sonila Alija, 24 vjeçe, Ervin Osja, 29 vjeç, Nikolin Toma, 26 vjeç dhe Ysniela Dalipi, 27 vjeçe.
Po ashtu është bërë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e Pawel Wziontek, 27 vjeç (shtetas polak), Alma Sokoli, 21 vjeçe (bashkëjetuesja e tij) dhe Klodian Memo 38 vjeç.
Sipas policisë këta persona, prej një periudhe 1-vjeçare kishin krijuar një skemë që kryesohej nga polaku Wziontek, i cili kishte rekrutuar si menaxherë 3 shqiptarë, që janë arrestuar. Kjo skemë ushtrohej në vendndodhje të ndryshme dhe konsistonte në mashtrimin kompjuterik nëpërmjet programeve dhe platformave të ndryshme si Vicidial, Forex dhe Exchange, në dëm të shtetasve të huaj, kryesisht atyre gjermanë dhe spanjollë.
Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se shtetasi 27-vjeçari nga Polonia, me qëllim shmangien e hetimit pas operacionit kombëtar kundër mashtrimeve kompjuterike, kishte bërë çregjistrimin e të gjithë punonjësve dhe kishte vijuar ta ushtronte aktivitetin në fjalë në mënyrë të fshehtë.
Autoritetet sqarojnë se po hetohet për verifikimin e të gjitha investimeve në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme që kanë bërë personat e përfshirë në ketë veprimtari, në koordinim dhe me autoritetet gjermane, spanjolle dhe polake, me qëllim konfiskimin e te gjitha aseteve të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme.
Njëkohësisht vijon puna për zbulimin e të gjitha subjekteve call center që ushtrojnë aktivitetin e tyre në mënyrë të paligjshme me anë të mashtrimeve kompjuterike, brenda dhe jashtë vendit.