Aktualitet Mashtronin të huajt për investime në bursa, pranga pronarit dhe administratorit të...

Mashtronin të huajt për investime në bursa, pranga pronarit dhe administratorit të “call centerit”

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Fake Promise” kanë rënë në pranga pronari 22-vjeçar O.P. dhe administratori i një “call centeri”, 25-vjeçari E.M. Gjithashtu janë proceduar në gjendje të lirë 3 operatore, qytetaret J.B, 36 vjeçe, S.Gj, 27 vjeçe, dhe Xh.M, 30 vjeçe.

Në këtë subjekt të paregjistruar në “Rrugën e Dibrës” ishin të punësuar si operatore qytetaret e lartpërmendura, të cilët së bashku me administratorin telefononin shtetas të huaj dhe u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në faqen “Coin Tracking”, faqe kjo ku gjendeshin fondet që ishin rekuperuar.

Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 5 njësi kompjuterike, 7 aparate celulare dhe lista me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar për të investuar në bursa fiktive. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale.