Në kuadër të operacionit policor të koduar “Momentum” janë vënë në pranga 2 të rinj, konkretisht 27-vjeçari me iniciale B.K. dhe 25-vjeçari me iniciale M.K. si dhe janë shpallur në kërkim 51-vjeçari J.K. dhe 32-vjeçari E.K.
Këta 4 persona kishin në administrim një subjekt Call Center në ‘Rrugën e Zallit’ në të cilin ishin punësuar rreth 60 punonjës, të cilët së bashku me administratorët telefononin shtetas të huaj, kryesisht italianë, iu prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex.
Gjatë operacionit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 68 000 Euro, njësi kompjuterike, aparate celulare, tabletë, mandate pagesash dhe blloqe me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.