Policia e Shtetit ka arritur që të arrestojë një prej autorëve që dy ditë më parë mashtruan pronarin e një pike këmbimi valutor në Shkodër.
Uniformat blu thonë se në bashkëpunim me autoritetet turke kanë mundur që të arrestojnë 40-vjeçarin gjeorgjian Kakha Joua.
Policia kishte zbuluar se ai po lëvizte nga Sarajeva në Stamboll dhe destinacion kishte kryeqytetin e Gjeorgjisë.
Pas shkëmbimit të informacioneve, policia turke ka ndjekur 40-vjeçarin në Stamboll ku e kanë arrestuar dhe i kanë gjetur me vete 7500 euro.
Ditën e sotme ai është dërguar në Shqipëri.
Ndërkohë hetimet kanë zbuluar edhe dy autorë të tjerë dhe po punohet për kapjen e tyre.
Më datë 9 gusht këta persona i kanë marrë pronarit të një pike të këmbimit valutor nëpërmjet mashtrimit 140 mijë euro dhe më pas janë larguar nga vendi.
“Si rezultat i veprimeve intensive hetimore të kryera nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Shkodër, pas kallëzimit nga pronari i një exchange, se 3 shtetas e kishin mashtruar në exchange, duke i marrë një shumë parash në euro, u bë i mundur identifikimi i 3 autorëve të dyshuar”, njoftoi policia.
Për këtë arsye janë shpallur në kërkim dhe dy gjeorgjianë të tjerë, 45 vjeç dhe 36 vjeç.
“Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet intensive për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti”, njoftoi policia.